Siç duket, kjo qeveri nuk ka mësuar nga vendet si Estonia (nga të cilat kemi shumë për të mësuar se si bëhet zhvillimi ekonomik) dhe nuk e kupton që paradigma e zhvillimit ekonomik afatgjatë e këtij shteti patjetër duhet ta ketë si shtyllë inovacionin dhe dijen në mënyrë që ta bëjmë atë që njihet si “leapfrogging” dhe mos të ngecim përjetësisht një shtet në zhvillim me punëtorë krahu të keq-paguar dhe keq trajtuar. Mirëpo për ta bërë këtë kërkohet vizion i qartë dhe guxim për të rrezikuar mos-rehatimin e militantëve partiak nëpër kompani të huaja apo “misione diplomatike”, dy komponenta që kjo qeveri nuk duket t’i ketë!
Nga Omer AJDINI
Estonia është një shtet Baltik me popullsi prej 1.3 milion banorësh i cili në vitin që kishte marrë pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik (1991), pra atëherë kur e kishte marrë edhe Maqedonia nga Jugosllavia, kishte papunësi të lartë dhe përafërsisht Bruto Produkt Vendor (BPV) për kapita diku tek 2,500 dollar, po aq sa kishte edhe Maqedonia e asaj kohe. Fast forward dy dekada e gjysmë, Estonia sot ka papunësi diku tek 5% dhe BPV për kapita diku mbi 23 mijë dollar, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet me papunësi tek përafërsisht 20% dhe BPV për kapita mezi arrin 6,000 dollar. Mirëpo jo vetëm aq. Estonia sot sipas World Economic Forum llogaritet si vendi më inovativ në Europë (nëse merren parasysh inovacionet brenda kompanive të mëdha dhe ato me start-ups), ndërsa Maqedonia e Veriut rangohet në vendin e 35 nga 39 ekonomitë europiane sa i përket inovacionit. Deri këtu besoj e keni të qartë dallimin në trajektoret e zhvillimit ekonomik që dy shtete me parametra dhe histori përafërsisht të njëjtë kanë pasur në një periudhë tre dekadëshe. Mirëpo kjo nuk është e gjitha.
Ajo çfarë shihet në rritjen e shpejtë të Estonisë është edhe reflektim i ndryshimit strukturor të ekonomisë së saj. Nëse pas pavarësimit nga Bashkimi Sovjetik Estonia trashëgoi një ekonomi inefiçiente dhe të pazhvilluar, sot 71% e BPV-së përbëhet nga sektori i shërbimeve ndërsa kompanitë e teknologjisë inovative çdo ditë e më shumë e shtojnë pjesën e tyre të kontributit në BPV-në e vendi. Pra me një fjalë, Estonia përveç që ka arritur të sigurojë rritje të shpejtë ekonomike përmes reformave adekuate ekonomike duke minimizuar kështu edhe papunësinë dhe inefiçiencën, ka arritur ta bëj edhe atë që në ekonomi njihet si “leapfrogging”, apo “kërcimi” nga një ekonomi agrare në atë të shërbimeve dhe inovacionit pa shkuar domosdoshmërisht në fazën e industrializimit, dhe sot prioritet kryesor i Estonisë është nxitja e inovacionit dhe kompanive të vogla dhe të mesme lokale. Fatkeqësisht kjo lëre që nuk është bërë tek ne, por edhe sot e kësaj dite kemi mbetur në ëndrrat e zhvillimit ekonomik të shekullit të kaluar.
Në Maqedoninë e Veriut në 20 vitet e fundit kur politikanët kanë dalur në skenë dhe kanë premtuar zhvillim ekonomik, ata gjithmonë e kanë lidhur atë me tërheqjen e investitorëve të huaj të cilët do të vinin të investonin në zonat e lira ekonomike, do të punësonin me qindra mijëra punëtorë, do të paguanin paga të mira, e kështu do të jetonim të gjithë të lumtur. Mirëpo fatkeqësisht edhe pas 20 viteve kjo strategji e zhvillimit ekonomik nuk duket të ketë dhënë frytet e saja. Sot papunësia tek ne mbetet ndër më të lartat në rajon ndërsa struktura e ekonomisë tonë siç duket nuk ka pësuar ndonjë ndryshim substancial pozitiv meqë shumë nga zonat e lira ekonomike mbeten bukualisht shkretëtira dhe edhe ato në të cilat është investuar sadopak nuk duket të kenë pasur ndonjë eksternalitet të madh pozitiv në ndryshim të strukturës së ekonomisë tonë.
Çmimi që paguan shteti ynë për incentivat të cilat i marrin kompanitë e huaja për të investuar tek ne nuk është i vogël (për shembull, sipas disa të dhënave, vetëm për periudhën 2007-2015 kjo punë RVM-së i ka kushtuar diku 160 milionë euro), megjithatë investimet e huaja direkte në të shumtën e rasteve nuk i japin rezultatet e duhura. Edhe pse duhet të kenë kontribuar deri diku në uljen e papunësisë, një pjesë e madhe e kompanive të huaja paguajnë paga shumë të ulëta dhe i shfrytëzojnë punëtorët lokal sikur në vendet e Azisë veriore. Sipas Shoqatës së Analistëve të Rinj, me përjashtim të investitorit anglez Johnson Matthey, shumica e investitorëve të huaj në zonat e lira ekonomike paguajnë paga më të ulta sesa mesatarja për shumicën e punëtorëve dhe kontribuojnë shumë pak në përmirësimin e mirëqenies së tyre- pra bukualisht i shfrytëzojë ata. Pra, për njëzet vitet e fundit lëre që strategjia e zhvillimit ekonomik përmes investimeve të huaja direkte nuk ka arritur ta ulë papunësinë mjaftueshëm dhe t’i mbajë të rinjtë në RMV, por edhe ata që janë punësuar në këto kompani nuk arrijnë të sigurojnë jetë të dinjitetshme me mirëqenie adekuate.
Mirëpo, kjo nuk është e tëra. Kompanitë të cilat zakonisht investojnë në RMV e sjellin tek ne një pjesë të procesit të përpunimit të produkteve të tyre e cila nuk kërkon ndonjë aftësi apo kualifikim te lartë, pra nuk sjellin departamentet e R&D por sjellin p.sh. pjesën e montimit të kabllove elektronike të veturave për ta shfrytëzuar fuqinë e lirë të pakualifikuar punëtore tek ne. Si pasojë, kompanitë e huaja tek ne nuk prodhojnë produkte me vlerë shumë të shtuar, gjë e cila lëre që nuk kontribuon mjaftueshëm në rritjen e BPV-së tek ne, por edhe të punësuarit mësojnë shumë pak nga këto kompani dhe si pasojë nuk ndodh ndonjë transfer i diturisë dhe aftësim i madh i punonjësve lokal, gjë e cila do krijonte një “spillover efekt” në të ardhmen me çka punonjësit e këtyre kompanive do të përdornin aftësitë dhe dijen e fituar në këto kompani për të bërë ndonjë inovacion në momentin që do ta lenin punën në këto kompani. Mirëpo kjo nuk ndodh sepse një person që monton kabllo apo qep karrige të veturave 8 or në ditë mëson shumë pak aftësi të cilat ndoshta nesër do ta bënin inovator në treg.
Poashtu, kompanitë e huaja që kanë investuar tek ne nuk duket të kenë krijuar lidhjet e mbrapme dhe të përparme industriale që zakonisht priten nga investimet e huaja direkte. Meqë materiali i cili përdoret nga fabrikat në këto zona ekonomike vie kryesisht nga jashtë, nuk krijohen kompani lokale të cilat do të furnizonin këto kompani me materiale për punë dhe si pasojë nuk krijohen kompani lokale dhe industri përcjellëse por thjeshtë përdoret fuqia punëtore për të përpunuar materialet e importuara. Në anën tjetër, meqë produktet që prodhohen nga kompanitë e huaja zakonisht eksportohen për t’u përdorur në industritë e vendeve të zhvilluara, tek ne nuk krijohen as lidhje të përparme me kompani të cilat do t’i përdornin këto produkte në industritë apo tregun lokal. Pra tek ne përveç shfrytëzimit të fuqisë punëtore nuk zhvillohen as linqe të përparme as të mbrapme me kaç nuk pritet zhvillim i mëtutjeshëm i ekonomisë tonë nëse këto kompani një ditë ikin nga RMV.
E treta, meqë kompanitë e huaja tek ne sjellin pak vlerë të shtuar, paguajnë rroga te ulëta dhe krijojnë pak eksternalitete pozitive në aspekt të nxitjes së inovacionit dhe krijimit të një ekonomie inovative dhe dinamike, ata do ta mbajnë RMV-në në një proces të stërzgjatur të zhvillimit duke e vendosur kështu ekonominë tonë në “middle-income trap”, apo në kurthin e ekonomive me të ardhura mesatare duke pamundësuar arritjen e statusit të një shteti të zhvilluar. E ardhmja e ekonomisë tonë me shumë gjasë do të përballet me këtë fenomen sepse kjo po u ndodh shteteve që kanë pasur investime të huaja direkte dikur, ndërsa papunësia tek ne do të vazhdoj të mbetet e lartë dhe rrogat dhe mirëqenia e punëtorëve tanë do të vazhdojnë të mbesin të ulëta. Kjo sepse duke shpresuar në mrekulli ekonomike nga tërheqja e investitorëve të huaj pa kriter, qeveritë e deritanishme siç duket kanë lënë anash zhvillimin e një ekonomie të bazuar në inovacion dhe dije. Derisa po flasim, edhe qeveria aktuale si ato të mëparshmet duket të jetë më shumë e interesuar për tërheqje të investitorëve të huaj (shih angazhimin të diplomatëve ekonomik), sesa në krijim të një ekosistemi të inovacionit dhe ndërmarrësisë i cili do të siguronte një transformim ekonomik në të ardhmen. Siç duket, kjo qeveri nuk ka mësuar nga vendet si Estonia (nga të cilat kemi shumë për të mësuar se si bëhet zhvillimi ekonomik) dhe nuk e kupton që paradigma e zhvillimit ekonomik afatgjatë e këtij shteti patjetër duhet ta ketë si shtyllë inovacionin dhe dijen në mënyrë që ta bëjmë atë që njihet si “leapfrogging” dhe mos të ngecim përjetësisht një shtet në zhvillim me punëtorë krahu të keq-paguar dhe keq trajtuar. Mirëpo për ta bërë këtë kërkohet vizion i qartë dhe guxim për të rrezikuar mos-rehatimin e militantëve partiak nëpër kompani të huaja apo “misione diplomatike”, dy komponenta që kjo qeveri nuk duket t’i ketë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)