Evis HALILI
Shkup, 14 shtator – Me kritere dhe kushte të reja konkursi për Programin vjetor me interes nacional të kulturës pritet të shpallet në fillim të muajit të ardhshëm. Prolongimi i afatit dhe zhvendosja e tij në muajin tetor ka të bëjë me ndryshimet që do të pësojnë jo vetëm përmbajtja e konkursit, por edhe anëtarët e komisioneve përkatëse, shkruan gazeta KOHA. Në Ministrinë e kulturës nuk japin detaje, por pohojnë se ndryshimet kanë si qëllim të formatojnë këtë konkurs në formën më të mirë të mundshme, duke evituar lëshimet e bëra në konkurset paraardhëse. Programi i kulturës dy vitet e fundit është shoqëruar me një sërë ankesash dhe akuzash, sidomos me kriteret rigoroze të vendosura dhe skarcimin e një pjese të mirë të konkurruesve që në fazat e para. Veprimtaria botuese, përkatësisht kriteret e botimit sipas paralajmërimeve të bëra do të kenë ndryshime, për të evituar hapësirën e limituar të konkurrimit dhe për t’i dhënë mundësi më shumë operatorëve ekonomikë, individëve, e të tjerë për të konkurruar. Problemi konstant që përsëritet çdo vit tek pjesa shqiptare edhe miratimi i më shumë projekteve dhe ndarja e shumave të vogla, gati të njëjta për financimin e çdo botimi. Kjo ka qenë një prej arsyeve që vitin e kaluar shumë aplikues refuzuan mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Një tjetër problem i trashëguar është miratimi i projekteve të cilat nuk kanë kaluar asnjë lloj filtri selektimi, duke ngritur shumë pikëpyetje mbi promovimin e titujve apo autorëve. Vërejtjet më të mëdha për projektet e miratuara vitin e kaluar kishin të bënin me financimin minimal të tyre, që u etiketua si qesharak, sidomos në sektorët e muzikës, dramës, botimit e të tjera.
“Jo vetëm ky konkurs, por edhe shumë të tjera që organizohen gjatë vitit do t’i nënshtrohen transformimit. Me dizajn të ri dhe sipas një formati që mundëson kyçjen e të gjitha subjekteve që prodhojnë art dhe jo si ka ndodhur deri tani. Në këtë funksion do të jetë edhe strategjia për zhvillimin e kulturës për katër vitet e ardhshme e cila do të jetë pjesë e debatit publik”, thotë për KOHA, Saraçini. Efektet pozitive të këtyre reformave Saraçini i ilustron me ndryshimin e konkursit “Vala e re e Kulturës” dhe interesimin që provokoi tek komuniteti artistik. Konkursi vjetor për Programin me interes nacional zhvillohet shtrihet në tetë sfera të ndryshme të veprimtarive të kulturës, si veprimtaria e botimeve, muzikës, dramës, artit figurativ, folklorit, trashëgimisë kulturore dhe sfera e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe industritë kreative. Përbërja e komisioneve, përkatësisht anëtarëve të tyre do të ndryshojë. Mësohet se do të ndryshojnë edhe anëtarët shqiptarë që janë pjesë e tyre, edhe pse vitin e kaluar u ndryshuan pjesa më e madhe e tyre.
Në Ministrinë e Kulturës pohojnë se ndryshime do të ketë edhe për konkurset e tjera që organizohen gjatë vitit, të cilat do të ridizajnohen në formë dhe përmbajtje. Është kjo arsyeja që duke filluar nga e enjtja me Forumin për zhvillimin e politikave kulturore Ministria e Kulturës do të vijojë me debatin që lidhet me Strategjinë e zhvillimit të kulturës për periudhën 2018-2022, versioni fillestar i së cilës është gati dhe i hapur për sugjerime dhe propozime të reja.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.