Urbanizimi dhe ndërtimi në pjesën e vjetër të Shkupit, duke filluar nga Çarshia e deri në brendësi të lagjeve të vjetra, siç janë Sahat Kulla e Dyqanxhiku apo Serave e Gazi Baba, duhet t’i nënshtrohen masave më rigoroze për marrjen e lejeve për punë. Zbatimi i këtyre masave kryesisht do të lehtësohej me revidimin e Planeve Gjeneralë dhe atyre Detale Urbanistike
Nga Muhedin BRAVA
Pushteti qendror dhe ai lokal në Maqedoni, duhet t’i ndjekë trendët botërore në funksion të mbrojtjes, restaurimit dhe zhvillimit të pjesë të vjetra të qyteteve, në këtë rast të pjesës së vjetër të Shkupit. Shteti këtë detyrë duhet ta realizojë përmes përpilimit të një strategjie të mirëfilltë për afirmimin dhe mbrojtjen e Shkupit të vjetër.
Kjo strategji shtetit do t’i ndihmonte në detektimin e masave për zgjidhjen e problemeve në të gjithë sektorët. Institucionet shtetërore duhet ta mbështesin zhvillimin e Shkupit të vjetër, kryesisht përmes avancimit të infrastrukturës afariste, sipërmarrëse dhe ekonomike në përgjithësi (krijimin e klubeve dhe shoqatave të afaristëve). Për t’u zhvilluar pjesa e vjetër e Shkupit, mendoj se në strategjinë që duhet ta përgatis shteti doemos të formohet edhe aktivizohet qendra inovative për zhvillim dhe transferim të teknologjive dhe produkteve të reja. Rikonstruimi urban i pjesës së vjetër të Shkupit, paraqet një prej detyrave kryesore që duhet ta bëjë shteti. Infrastruktura nëntokësore dhe problemi në komunikacion gjithsesi se nevojiten të përmirësohen. Meqë bëhet fjalë për një sistem të vjetër infrastrukturor, mendoj se është koha e fundit të bëhet ndarja e rrjetit të kanalizimit në atë fekal dhe atmosferik.
Zhvillimi i turizmit dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore e cila gjendet në pjesën e vjetër të Shkupit, duhet të jetë prioritet pushteti. Kur e përmend zhvillimin e turizmit, mendoj në transferimin e kapaciteteve administrative dhe ekonomike të cilat në zonat tona e kanë humbur kuptimin e funksionimit të tyre në harmoni me standardet dhe trendët ndërkombëtare. Sajimi i objekteve ekzistuese historike në këtë pjesë të Shkupit nuk duhet të jetë çështje debati, por sa është e mundur më shpejtë të niset me mirëmbajtjen e tyre. Krijimi i ambienteve të vogla rekreimi për turistët dhe për banorët vendas, gjithashtu duhet të formohen në anën e majtë të Vardarit. Promovimi dhe monitorimi i prodhimeve turistike që ofrohen në Çarshinë e Shkupit, shteti duhet t’i marrë përsipër t’i menaxhojë. Në shumë vende botërore, për pjesët e vjetra të qyteteve janë përgatitur dhe krijuar plane konkrete për integrimin e kulturës dhe turizmit në mënyrë paralele. Nuk shoh arsye se pse kjo mos të zbatohen edhe në rastin tonë. Ndjekja e risive në teknologji nuk duhet të përjashtohet edhe në rastin e Çarshisë së Shkupi e cila në masë të madhe ka nevojë për digjitalizimin dhe shënimin e objekteve të vjetra historike.
Arsimi joformal, respektivisht edukimi i kuadrove profesionale (ciceronëve) për prezantimin e saktë të historikut të objekteve të vjetra kulturore , po ashtu është masë e cila nevojitet të zbatohet me seriozitetin më të lartë. Platforma për pjesën e vjetër të Shkupit, po ashtu në vete duhet të përmbajë edhe krijimin e identitetit urban i cili dukshëm i mungon kryeqytetit të Maqedonisë. Monumentet historike dhe ato që viteve të fundit u ndërtuan janë plotësisht të zhveshura dhe janë fare pak të njohura në vend dhe jashtë.
Kartat turistike të harmonizuar për pjesët e vjetra të qyteteve ekzistojnë gjithkund të botë, vetëm tek ne jo. Zonat për këmbësorë përmes të cilave ruhet autenticitet i objekteve në fjalë janë prezent gjithandej rajonit, në rastin tonë jo. Brendimi i Shkupit të vjetër të rregullohet me norma ligjore, respektivisht përmes kësaj mbrojtje duhet të vlejnë edhe rregulli tjetër duke filluar nga komunikacioni, orari i punës e kështu me radhë. Urbanizimi dhe ndërtimi në pjesën e vjetër të Shkupit, duke filluar nga Çarshia e deri në brendësi të lagjeve të vjetra, siç janë Sahat Kulla e Dyqanxhiku apo Serave e Gazi Baba, duhet t’i nënshtrohen masave më rigoroze për marrjen e lejeve për punë. Zbatimi i këtyre masave kryesisht do të lehtësohej me revidimin e Planeve Gjeneralë dhe atyre Detale Urbanistike. (koha.mk)