Mes tjerash, në ligj theksohet se do të bëhet vlerësimi i bazuar në prova për kursimin e pritshëm të energjisë dhe përfitimet më të mëdha. Me propozim të ministrisë, Qeveria do të miratojë programe trevjeçare për realizimin e strategjisë për rikonstrtuim, në të cilën do të planifikohen masat dhe aktivitetet për përmirësimin e efikasitetit energjetik
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 shkurt – Rinovimi i fasadave të ndërtesave banesore, si dhe të ndërtesave publike dhe atyre komerciale, është paraparë me strategjinë e fundit për rikonstruim, të cilën e sugjeron Ministria e ekonomisë. Ideja është që të sigurohet ulje efikase, ekonomikisht të arsyeshme të shpenzimeve të energjisë, përmes aplikimit të masave për efikasitet energjetik dhe njëkohësisht ulje të ndotjes së ambientit jetësor dhe zbutjes së ndryshimeve klimatike.
Në strategjinë për rikonstruim është paraparë së pari të bëhet pasqyrë e fondit nacional të ndërtesave, identifikimi i qasjes shpenzuese për rikonstruim varësisht nga lloji i ndërtesës dhe zonës klimatike, por edhe të sillen politika dhe masa për stimulim të rikonstruimeve të rëndësishme të ndërtesave.
Siç theksohet në Ligjin për efikasitet energjetik, njëra prej qëllimeve është orientimi i vendimeve për investim të individëve, ose të industrisë ndërtimore dhe të institucioneve financiare.
“Me ligjin e ri për efikasitet energjetik vendi ynë në tërësi implementon dispozitat përkatëse për efikasitet energjetik të Bashkimit evropian. Më e rëndësishmja, mundësohet realizimi i investimeve dhe masave të nevojshme në fushën e efikasitetit energjetik, duke përcjellë shembujt pozitiv nga vendet e BE dhe rajonit, ku efikasiteti energjetik realizon dobi në më shumë nivele, si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë në përgjithësi. Ne jemi vend që është i varur nga importi dhe çdo qindarkë në efikasitet energjetik sjellë më shumë dobi. Shfrytëzimi racional i energjisë duhet të jetë imperativ për të gjitha institucionet publike, sepse në atë mënyrë kursehen mjetet e buxhetit, ndërsa njëkohësisht përmirësohen kushtet për punë, ndërsa zvogëlohet barra e shpenzimeve publike dhe ulet ndotja”, është shprehur ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Mes tjerash, në ligj theksohet se do të bëhet vlerësimi i bazuar në prova për kursimin e pritshëm të energjisë dhe përfitimet më të mëdha. Me propozim të ministrisë, Qeveria do të miratojë programe trevjeçare për realizimin e strategjisë për rikonstrtuim, në të cilën do të planifikohen masat dhe aktivitetet për përmirësimin e efikasitetit energjetik. Gjithashtu planifikohen edhe aktivitete arsimore dhe promovuese, të cilat do të jenë të orientuara para së gjithash në drejtim të nxitjes për rikonstruim të ndërtesave në sektorin privat.
Mjetet për përgatitjen e strategjisë për rikonstruim të ndërtesave sigurohen nga buxheti, grantet ose donacionet, në pajtim me dispozitat për ndihmë shtetërore. Me këto ndryshime, sektori publik duhet të marrë rolin udhëheqës dhe obligohet të merr shembullin pozitiv në drejtim të përmirësimit të efikasitetit energjetik në Maqedoni. Ligji parashikon detyrime për rikonstruim të ndërtesave në sektorin publik afatmesëm dhe afatgjatë dhe detyrimet për furnizime publike të mallrave dhe shërbimeve ekskluzivisht me efikasitet energjetik. Gjithashtu parashikon edhe detyrimet për monitorimin e shpenzimit dhe kursimit të energjisë nga komunat dhe institucionet tjera publike. Me këtë, sektori publik, e para së gjithash Qeveria dhe ministritë, do të kenë rolin udhëheqës në drejtim të realizimit të qëllimeve për efikasitet energjetik, që paraqesin detyrim në pajtim me marrëveshjen për bashkësi energjetike, në rrugën e vendit tonë në drejtim të anëtarësimit tonë të plotë në BE. (koha.mk)