Emin AZEMI
Në Ballkanin Perëndimor tash e tutje mund të ketë plotë vrima të zeza, për arsye se Strategjia e Komisionit Evropian, e prezantuar dje në Strasburg, ka parashikuar që vetëm Serbia dhe Mali i Zi mund të jenë gati potencialisht pas vitit 2025 për t’iu bashkuar BE-së. Nëse strategjia më e re e Brukselit mund të kuptohet edhe si përgjigje ndaj përpjekjeve të Rusisë për ndikim në rajon dhe angazhimi ekonomik në rritje të Kinës, atëherë kush mund të garantojë që këto përpjekje ruse dhe këto ndikime kineze nuk do të intensifikohen pikërisht në këtë kohë kur BE paska hequr dorë vullnetarisht nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, vende këto me ndikime jo të pakta nga jashtë dhe me rrjedhoja negative për stabilitetin e brendshëm të tyre.
Vrimat e zeza që po lihen nga Brukseli, askush nuk do të donte t’i mbushte me politika destruktive e destabilizuese, por vetë strategjia e BE-së me këtë qasje paraqet në vetvete njëfarë destabiliteti, sepse shpërblehen vendet si Serbia që ende nuk pagoi bilancet morale, financiare e politike për krimet e gjenocidet e kryera në BeH, Kosovë e gjetiu, kurse lihen nën mëshirën e oligarkive politike-mafioze vendet si Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bonjë e Hercegovina.
Çfarë kurajo është kjo për të rinjtë e këtyre vendeve, kur në strategjinë e re të BE-së nuk shohin kurrfarë kandili evropian që do të paralajmëronte dritën në fund të tunelit ballkanik.
Dihet që lojaliteti i skajshëm i qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës ndaj vlerave e institucioneve Perëndimore, nuk ishte gjithmonë në përpjesëtim të drejtë me politikat vendore që udhëhoqën elitat politike të këtyre vendeve, sidomos në fushat ku shteti i së drejtës, reformat, korrupsioni, narkotrafiku etj. janë ende terrene të minuara nëpër të cilat e kanë vështirë të kalojnë rekomandimet e Brukselit, por, në anën tjetër, përvoja ballkanike (Bullgaria, Rumania), në të kaluarën, ka krijuar plot precedente që e ka bërë politikën e zgjerimit të BE jo gjithmonë konsekuente.
Ka të ngjarë që kjo jokosekuencë të vazhdojë edhe në të ardhmen, sidomos në rastin e Serbisë, e cila është shkaktari kryesor që Ballkani Perëndimor u vonua me politikat e përafrimit dhe aderimit në BE. Nëse në të kaluarën Serbia ka qenë frika më e madhe e Brukselit për ndonjë shkarje gjeostrategjike të sajën drejt Rusisë, ky nuk është kurrfarë justifikimi që BE të aplikojë standarde të dyfishta në strategjitë e saja të zgjerimit. Aq më tepër kur lënia jashtë përfshirjes së kësaj strategjie, të tre, katër shteteve të Ballkanit Perëndimor, përpos që krijon parakushte për frustrime të përgjithshme sociale e politike, mund të prodhojë edhe disponime shtesë antievropiane, sidomos te gjenerata e re e cila deri para pak kohësh shpresat e së ardhmes i kishte mbështetur te BE.
Pafuqia e njeriut të thjeshtë të Ballkanit Perëndimor që përmes votës (gjysmë)të lirë të ndikojë në ndryshimin e kulturës politike dhe stilit qeverisës në vendet e tyre, ka qenë dashur të kuptohet nga burokratët e Brukselit si thirrje për ndihmë drejtuar atyre, sepse vrimat e zeza pikërisht në këto mjedise mund të formohen, kurse kandilat përpëlitës evropianë të zëvendësohen me llamba të fikura vajguri.
Çfarë meritash paskan më tepër të rinjtë e Serbisë, se sa të rinjtë e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, BeH në mediatizimin e temave proevropiane të cilat iu paskan bërë aq shumë përshtypje burokratëve të Brukselit para se ta hartojnë strategjinë e re për Ballkanin Perëndimor. Votuesit ne Serbi ka vite që përcaktohen për politikat shtetërore të ish radikalëve serbë që aktualisht janë në pushtet dhe çfarë evropianizimi sheh Brukseli në frymën e përgjithshme shoqërore dhe të fqinjësisë së mirë që po krijokan këta votues. Apo, ndoshta, involvimet e Beogradit në Kosovën e veriut, atje ku mafia bën ligjin dhe ku institucionet e Kosovës nuk mund të shtrijnë kapacitet e veta shtetndërtuese, mund të jenë kritere të reja të ”fqinjësisë së mirë”, për të cilat tash e tutje duhet të angazhohen edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor , duke i marrë si model pikërisht këto sjellje “evropiane” të Serbisë ndaj Kosovës.
Autorët e Strategjisë së re të BE-së a kanë qenë ndonjëherë në Nishi, sepse afër këtij qyteti Rusia ka një “ishull” me status diplomatik, që në semantikën ballkanike të keqinterpretimeve mund të ketë konotacione të ndryshme. Prandaj, i mbetet BE-së të ndezë edhe më shumë kandila, për t’ia ndriçuar edhe më tepër rrugët Serbisë që shpijnë nga Moska. Të tjerët në Ballkanin Perëndimor mund të mjaftohen me sheqerkat e Mogherinit e Hahnit të mbështjellë me lajme premtuese të gazetave që forcojnë edhe më tej status-quon e oligarkive antievropiane.