Antonio Conte e tha troç të premten e shkuar në Singapor: Interi është me vonesë dhe duhet të shesë urgjentisht disa lojtarë të tepërt në skuadër. Drejtuesit e klubit do të mundohen ta kënaqin, por tashmë çfarëdo që të ndodhë, Interi do të humbasë rreth 100 milionë euro nëse shet emrat kryesorë në listën e të panevojshmëve, Icardi, Nainggolan e Perisic.
Gjithçka për faj të vetë klubit, që ka menaxhuar shumë keq situatën dhe në mënyrë absurde i ka bërë publike lëvizjet e veta pa pasur asnjë ofertë për lojtarët e mësipërm.
Marotta në 6 korrik lëshoi deklaratën e bujshme: “Icardi dhe Nainggolan nuk bëjnë pjesë në projektin tonë”. Më pas, edhe Conte lëshoi një deklaratë të fortë të shtunën: “Perisic nuk e bën dot rolin që kërkoj prej tij”.
Vetëm një sezon më parë këta lojtarë ishin pika kyçe të Interit dhe vlenin jashtëzakonisht në treg. Tani situata është kthyer përmbys dhe të tre lojtarët janë në shitje, por askush nuk i do me çmimet që kërkon Interi.
Vjet në këtë kohë Icardi vlente 110 milionë euro, e pakta, sepse aq ishte klauzola e prishjes së kontratës dhe u përfol se kishte klube të interesuar, por vetë argjentinasi preferoi të vijonte tek Interi, ku ishte kapiten. Tani, pas një sezon skandaloz, me pak gola e me shumë polemika, Icardi nuk vlen as 60 milionë euro, më shumë për faktin se klubet që e duan sulmuesin e dinë shumë mirë që Interi i ka bërë dalje dhe është në hall, ndaj duan të përfitojnë.
Juventusi e do ende, por nuk bëhet fjalë të pranojë, të paktën për momentin, shkëmbimin me Paulo Dybalan, i cili do ishte lojtar perfekt për Interin.
Nainggolan ishte qershia mbi tortë në merkaton e verës së shkuar, me Interin që e bleu për 39 milionë në total, duke përfshirë edhe Zaniolon në transferim, por ish-mesfushori i Romës tashmë nuk vlen më shumë se 15 milionë euro dhe vetëm nga Kina mund të vijë ndonjë ofertë joshëse.
Sa për Perisic, fjalët e Contes janë befasuese, sepse vetëm një vit më parë Manchester United ofroi 50 milionë euro dhe Interi refuzoi prerë. Tani kroati nuk vlen as 30 milionë euro, por nuk ka më oferta dhe mosha e lojtarit, 31 vjeç, është një pengesë tjetër e madhe. Interi duhej të ishte treguar largpamës që verën e shkuar: Icardi duhej shitur urgjentisht, duke parë problemet pa fund me rinovimet e tij dhe fjalët e Ëandas; Nainggolan ishte një lojtar në fund karriere dhe një problem i madh edhe si karakter; Perisic ishte i shtrydhur dhe në fund karriere, ndaj oferta e United ishte e parefuzueshme. Tani treni ka ikur