Shkup, 13 shkurt – Ministria e Drejtësisë po përgatit ndryshime në Ligjin për evidencën amë. Me ndryshimet e këtij Ligji, siç sqarojnë nga Ministria e Drejtësisë, do të rregullohen procedurat dhe kushtet për njohje ligjore të gjinisë që të mund të zbatohet vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për rastin e personit “X”, i cili ka fituar “betejën” ligjore me shtetin me 17 janar të këtij viti, shkruan gazeta KOHA.
Ligji ekzistues për evidencë amë nuk siguron një procedurë të qartë për ndryshimin e gjinisë. Gjykata Strasburgut, së fundmi ka publikuar se është miratuar një vendim në favor të një personi trans-seksual “X”, i cili e ka paditur Maqedoninë për shkelje të së drejtës së privatësisë dhe ligjeve jo-efektive në vend. Paditësi “X” e ka ndryshuar gjininë nga femër në mashkull, por nuk ka mundur që në mënyrë administrative ta regjistron ndryshimin për shkak të kufizimeve ligjore. (koha.mk)