Igli Tare është padyshim Drejtori Sportiv më i mirë në Itali për vitin 2017. Jo më kot e mori këtë vlerësim nga mediat italiane, të cilat kanë vlerësuar ish-kapitenin e Kombëtares Shqiptare për sukseset e tij në afrimin e lojtarëve cilësorë te Lacio me çmim shumë të ulët e më pas shitjen e tyre me vlera marramendëse. Një sukses i padiskutuar është dhe Thomas Strakosha. Në një artikull me titullin “Mrekullia Tare”, sajti italian “Laziosiamonoi”, rendit disa nga lojtarët aktualë te Lacio, që janë afruar nga Drejtori Sportiv në vite të ndryshme për vlera të ulëta financiare, ndërsa sot kartoni i tyre vlen miliona euro.
Mes tyre ndodhet dhe Thomas Strakosha. Portieri i Lacios dhe Kombëtares Shqiptare u afrua në vitin 2012 për vlerën 75 mijë eurove te Lazio. Ndërsa për pak vite ai arriti të tregonte potencialin e tij duke u bërë lojtari numër një i ekipit bardhekaltër. Strakosha shkëlqeu duke i zënë vendin Marketit, dhe prej gati një viti ai është lojtari më i pa zëvendësueshëm për ekipin e Lacios. Sot vlera e kartonit të tij, sipas Observatorit Virtual të Futbollit në Evropë shkon në 18.6 milionë euro. Shifra marramendëse këto për futbollistin e Kombëtares Shqiptare, që në Itali tashmë është futur edhe në formacionin e vitit. Investimi i Lacios për Strakoshën me shokë, të zbuluar pikërisht nga Igli Tare, tashmë po shpërblehet. Disa yje të Lacios janë afruar në ekip për vlera deri në 10 milionë euro, ndërsa sot, Milinkviç Saviç, Luis Alberto, Imobile etj, kushtojnë nga 70 deri në 170 milionë euro.