30 milionë euro nga Liverpuli për Thomas Strakoshën, është ky lajmi i bujshëm që vjen nga Anglia. Pas gafave të turpshme që bëri Loris Karius gjatë finales së “Champions League” por edhe pasigurisë së shfaqur nga Simon Mignolet përgjatë gjithë sezonit, kanë bërë që Liverpuli të hyjë në merkato për të gjetur një portier të denjë për të mbrojtur portën e “The Reds”. Klopp kërkon një portier të ri në moshë, por që përcjell siguri dhe që ka instinkt të jashtëzakonshme mes shtyllave, karakteristika këto që i plotëson Thomas Strakosha. Portieri shqiptar i Lacios është i preferuari i trajnerit gjerman aq sa mediat në Itali shkruajnë se në drejtim të Lacios ka mbërritur tashmë një ofertë prej 30 milionë eurosh nga Liverpuli për talentin e përfaqësues kuqezi. Drejtori sportiv i bardhekaltërve Igli Tare dhe presidenti Klaudio Lottito po e marrin seriozisht në konsideratë ofertën e të kuqve dhe mund të ulen në bisedime pasi 30 milionë euro është një shifër e konsiderueshme për një portier për të cilin Lacio ka shpenzuar vetëm 75 mijë euro për ta blerë nga grekët e Panionios përpara 6 vitesh kur Strakosha ishte vetëm 17-vjeç. Ajo që e bën akoma edhe më të besueshme këtë lëvizje është fakti se Igli Tare ka nisur nga puna për të gjetur pasuesin e 23-vjeçarit, pasi ka kontaktuar veteranin spanjoll Iker Kasilas. Strakosha është gati të bëjë hapin e madh në karrierë, pasi nëse transferohet te Liverpuli jo vetëm që do të jetë portieri titullar i një prej klubeve më të titulluar në Angli por gjithashtu do të bëjë realitet ëndrrën e tij për të luajtur në “Champions League” me një skuadër të madhe të futbollit evropian.