Stomatologët specialistë kërkojnë marrëveshje me FSSHM

Shkup, 26 mars – Kryerjen e shërbimeve shëndetësore në llogari të shtetit, gjegjësisht përfshirje në rrjetin shëndetësor me çka do t’ju ofrojnë çmime më të lira pacientëve, kërkojnë stomatologët specialistë të cilët nuk kanë asnjë marrëveshje me Fondin për Sigurim Shëndetësor, dhe të cilët sot u takuan me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe ku ka marrë pjesë edhe drejtori i FSSHM-së, Den Donçev.

“Për momentin jemi në situatë ku pacientët i kërkojnë shërbimet në ngarkesë të Fondit, por ne nuk i kemi nënshkruar ato marrëveshje dhe nuk mundemi të vazhdojmë. Kërkesa e jonë është që ne si specialistë të funksionojmë, të arrijmë marrëveshje me Fondin, dhe në të njëjtën kohë pacientëve t’ju mundësohet që t’i shfrytëzojnë këto shërbime edhe në ordinancat tona”, deklaroi dr.Aleksandar Trajkovski, stomatolog.

Stomatologët specialistë theksuan se kanë fituar sinjale pozitive për zgjidhje të problemit, ndërsa për javën e ardhshme kanë paralajmëruar takim të ri, kur do të dihet se sa stomatologë specialistë punojnë pa marrëveshje me Fondin.

“Fillimisht do të ketë ndryshime në Ligjin për licencim, gjegjësisht për marrjen e licencave specialiste pa e marrë parasysh tipin e ordinancës. Në fazën e dytë do të punohet për rregullimin e rrjetit në nivel të Republikës të Maqedonisë për shërbimet shëndetësore”, deklaroi dr.Ana Dukovska Cvetkovska, stomatologe.

Pas takimit me Ministrin e Shëndetësisë informuan se në dy muajt e kaluar në mënyrë aktive është duke u punuar në realizimin e kërkesave të stomatologëve specialistë.

“Në kuadër të takimit, stomatologët specialistë ranë dakord me dinamikën e parashikuar të realizimit të kërkesave të miratuar nga ana e Ministrisë për Shëndetësi. Gjithashtu, është rënë dakord që vazhdimisht të njoftohen dhe se do të jenë në komunikim me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë”, theksuan nga Ministria.