Bruksel, 28 janar – Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, deklaroi se protokolli inkuadrues për hyrjen e Maqedonisë në NATO do të nënshkruhet së shpejti, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
“Do ra nënshkruajmë protokollin inkuadrues në NATO dhe këtë mund ta bëjmë së shpejti.Për ratifikim do të duhet më shumë kohë, gjithçka varet prej 29 parlamenteve”, tha Stoltenberg për Politiko Evropë.
Është e mundur që tashmë gjatë kësaj jave, ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s ta nënshkruajnë protokollin. Disa vende si Sllovenia tashmë kanë marrë dritë të gjelbër për këtë, siç deklaroi ambasadori slloven Jellko Kacin.
“Sapo ta nënshkruajmë protokollin inkuadrues, Shkupi do të ulet në tryezë”, tha Stoltenberg.
Kjo do të thotë se Maqedonia do të marrë pjesë si vend vëzhgues në të gjitha formatet kyçe të takimeve të Aleancës, por anëtare e plotfuqishme do të bëhet vetëm pasi të gjitha 29 parlamentet do ta ratifikojnë protokollin inkuadrues.
“Herën e kaluar na duhej një vit”, deklaroi shefi i Aleancës duke e komentuar anëtarësimin e Malit të Zi në vitin 2017.
Siç lajmëroi MIA të premten, Kacin ka parashikim të ngjashëm, që flamuri i Maqedonisë do të valojë para selisë së Aleancës në Bruksel deri në fund të këtij viti, më së voni në fillim të vitit 2020. (koha.mk)