NATO nuk ka për qëllim të bëjë lëshime për Rusinë, por do të mbetet në qëndrimin e fortë por të drejtë ndaj Moskës lidhur me pranimin në anëtarësi të ish shteteve sovjetike, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg.
“Për ne nuk është kontradiktore të jesh i fuqishëm në qasjen ndaj Rusisë, siç jemi, por në të njëjtën kohë të kërkojmë edhe dialog”, deklaroi mbrëmë Stoltenerg gjatë një fjalimi para të pranishmëve në fondacionin konservativ “Heritixh” në Uashington.
Njeriu i parë i Aleancës theksoi se NATO nuk dëshiron konfrontim, por për marrëdhëniet e këqija mes Paktit Veriatlantik dhe Rusisë e fajëson Moskën dhe “gatishmërinë e saj për përdorimin e forcës kundër fqinjëve”.
Siç njoftoi Zëri i Amerikës, tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit filluan të rriten pas intervenimit të armatës ruse në Gjeorgji para 10 viteve, ndërsa e arritën majën e tyre me aneksimin e gadishullin ukrainas, Krimesë nga ana e Moskës në vitin 2014.