Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është shprehur në konferencë për media se NATO do ta mbështesë FSK-në brenda mandatit aktual, raporton KTV. “Stabiliteti i Ballkanit është me rëndësi kritike për NATO-n. Siguria në këtë rajon është i rëndësishme për stabilitetin. KFOR-i është misioni më i gjatë. Jemi të interesuar të forcojmë kapacitetet vendore dhe po ashtu do të mbështesim FSK-në në kuadër të misionit aktual”, është shprehur ai. Stoltenberg në tutje ka thënë se marrëveshjet e arritura me Serbinë duhet të jetësohen, sepse kjo është e vetmja zgjidhje në procesin e normalizimit. “Është jetësore që marrëveshjet e arritura të jetësohen. Duhet të vazhdojmë me procesin e normalizimit sepse kjo është e vetmja zgjidhje. NATO e ka forcën e KFOR-it që të bëjmë ruajtjen e paqes këtu. Policia është forca e parë, pastaj EULEX-i dhe pastaj KFOR-i që të ruajnë sigurinë e vendit, dhe ne do të veprojmë gjithmonë aq sa është e domosdoshme për të ruajtur paqen”, ka thënë Stoltenberg.