Stoltenberg: Maqedonia mund të marrë ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e 11 dhe 12 korrikut

Shkup, 20 qershor – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shpreson se do të mund të dërgohet ftesa për anëtarësim të Maqedonisë në NATO në Samitin që do të mbahet me 11 dhe 12 korrik në Bruksel, pasi Shkupi dhe Athina arritën marrëveshje për emrin, transmeton Portalb.mk.

“Shpresoj se do të ketë përparim me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë sepse arritën marrëveshje me Greqinë për problemin që e kanë pasur në lidhje me emrin e shtetit. Nëse ajo marrëveshje do të finalizohet dhe të zbatohet emri i ri – Republika e Maqedonisë së Veriut, atëherë mund të shkojmë drejt anëtarësimit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në NATO. Sinqerisht shpresoj se mund ta bëjmë këtë”, deklaroi Stoltenberg në intervistë për televizionin francez “France 24”.

Në pyetjen se a ka kornizë kohore për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, ai tha varet nga finalizimi i marrëveshjes në Shkup.

“Por, unë shpresoj se do të mund të fillojmë negociata për anëtarësim, gjegjësisht do të sjellim vendim për fillimin e tyre në Samitin e NATO-s në korrik, nëse gjithçka zhvillohet sipas asaj që është planifikuar rreth ratifikimit të referendumit që do të mbahet më vonë këtë vit”, deklaroi Stoltenberg.