Bruksel, 2 dhjetor – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit dyditor ministror të punëve të jashtme të Aleancës, u përqendrua në sfidat e marrëdhënieve mes Kinës dhe Perëndimit.
“Kina nuk është armik i NATO-s, është e qartë se ngritja e Kinës mund të sjellë mundësi të reja, për shembull tregtinë, çështjet globale si kontrolle e armëve dhe ndryshimeve klimatike”, kështu Stoltenbergu e filloi fjalimin e tij pas përfundimit të takimit ministror dje.
Por, shefi i Aleancës paralajmëroi se megjithë mundësitë për bashkëpunim, Kina mbetet konkurrent “sistematik” i NATO-s dhe Perëndimit.
Ai u bëri thirrje demokratëve “me të njëjtat mendime” të punojnë së bashku për të mbrojtur vlerat, shoqëritë, ekonomitë dhe institucionet e tyre brenda një rendi të bazuar në rregulla.
Ministrat e jashtëm të NATO-s, së bashku me përfaqësuesit nga Finlanda, Suedia, Japonia, Australia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut, ranë dakord për të forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit për të luftuar në mënyrë efektive kërcënimin ushtarak të paraqitur nga Kina, si dhe në atë teknologjik dhe infrastrukturor.
NATO dhe vendet partnere, tha Stoltenberg, duhet të insistojnë që Kina të respektojë rregullat e rendit ndërkombëtar.
Ministrat e Aleancës diskutuan gjithashtu situatën në Gjeorgji dhe Ukrainë këtë pasdite, ku Rusia ende paraqet kërcënim për sovranitetin dhe integritetin territorial të dy vendeve.