Evis HALILI
Shkup, 17 mars – Për një rikthim të vërtetë në teatër, publiku do të duhet të presë gjatë. Kushtet në të cilat gjenden dy teatrot shqiptare diktojnë prej disa vitesh jo vetëm repertorin dhe llojin e shfaqjeve që ngjiten në skenë, por edhe nisjen dhe mbarimin e sezoneve artistike, shkruan gazeta KOHA. Teatri i Tetovës, për shkak të motit të ftohtë dhe mungesës së ngrohjes – është i detyruar që gjatë stinës së dimrit të mos funksionojë dhe sezoni të mbyllet edhe në muajin tetor. Për rrjedhojë, edhe numri i premierave dhe reprizave është gjithnjë më i vogël sesa pritshmëritë. Ndërsa Teatri i Shkupit, po ashtu për shkak të kushteve dhe mungesës së godinës, gjatë vitit të kaluar ka qenë i detyruar të zgjedhë shfaqje me më pak aktorë, dekor, e të tjera, për t’iu adaptuar sallave të vogla, si ajo e Qendrës Teatrore të Fëmijëve. Shfaqjet e tyre, edhe këtë vit – gjithsej tre premiera, do të vazhdojnë të ngjiten në skenën e Teatrit të Komedisë, deri në përfundimin e punimeve rikonstruktuese të Teatrit Shqiptar. Pavarësisht këtyre vështirësive, drejtori Adem Karaga, duke iu referuar shfaqjes më të fundit “Shfaqja ë shkon mbrapsht”, thotë për KOHA se të nxjerrësh njerëzit nga gjithë kjo agoni dhe amulli që rrethon shoqërinë tonë, dhe t’u japësh të qeshura për një orë – nuk është një punë e vogël. “Edhe gjatë këtij viti do të ketë pjesë të tjera, të bukura si kjo që do të ndërtojnë mozaikun e repertorit të sivjetshëm. Sa i takon financave, ato asnjëherë nuk mund të jenë të mjaftueshme dhe në këtë pikë jemi bërë imunë. Por pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të kontribuojmë në ngritjen e vlerave teatrore brenda shtëpisë sonë”, thotë Karaga. Në programin e këtij viti, Teatri Shqiptar, për dallim nga viti i kaluar që realizoi shfaqje të vogla, planifikon tre pjesë teatrale me një ansambël më të madh aktorësh. Dhe nëse shiriti i inaugurimit të objektit të ri do të pritej këtë vit, Karaga thotë se do të ketë edhe një shfaqje surprizë, një prej projekteve më të mëdha të teatrit. Për momentin punimet vazhdojnë dhe me shumën e vënë në dispozicion nga Ministria e Kulturës, gjithsej 1.5 milionë euro janë likuiduar një pjesë e borxheve (500 mijë euro) nga vitet e kaluara, ndërsa deri në përfundimin e punimeve, në llogarinë e Teatrit do të duhet të derdhen edhe rreth tetë milionë euro të tjera. Në Teatrin e Tetovës këtë vit do të ketë gjithsej pesë premiera (dy në maqedonisht), por realizimi i tyre, ashtu si edhe numri i reprizave, do të varet nga kushtet klimatike. Drejtori Valmir Aziri thotë se moti vazhdimisht ndikon ritmin e punës. Ishin këto kushte që nuk e lejuan këtë teatër që programin e vitit të kaluar të mos tra realizonte plotësisht. “Katër deri në pesë muaj, në rastet e një dimri më të ftohtë, jemi të detyruar ta pezullojmë aktivitetin. Si për prova, ashtu edhe për shfaqje, vitin e kaluar u detyruam ta ndërpresim në tetor. Këtë vit kemi tre shfaqje dhe Festivalin e Teatrove, ndërsa pas një kohe të gjatë sjellim edhe shfaqje për fëmijë – Pinokun, të cilën do ta shfaqim edhe nëpër shkolla në Tetovë e më gjerë”, thotë Aziri. Në kushte të ngjashme dhe vështirësi janë edhe në Dramën e Kumanovës, edhe pse ato janë pjesë e Qendrës së Kulturës së Qytetit. Por kushtet në të cilat ndodhen këto dy teatro nacionale nuk ngjasojnë me ato të asnjë institucioni tjetër të këtij rangu në vend. Teatri i Tetovës i ka pasur të tilla që prej themelimit dhe do të vazhdojë në këtë gjendje deri në ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës, projekt ky që po zvarritet prej vitesh. Edhe Teatri i Shkupit ka pasur probleme të ngjashme. Si në ato vite kur skenën e ndante me Dramën Turke, ashtu edhe më vonë, kur objekti dhe shumë pjesë të tij nuk ishin funksionale dhe të amortizuara. Rikonstruktimi vazhdon prej disa vitesh, ndërsa se kur do të jetë fundi – nuk e dinë as vetë në teatër.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.