Pjesa më e madhe e rasteve të prekjes nga kanceri vijnë si pasojë e një jete jo të shëndetshme, më shumë sesa për shkak të geneve. Ky është përfundimi në të cilin kanë dalë një grup shkencëtarësh në SHBA. Të dhënat e reja tregojnë se, faktorë të tillë si ambienti që na rrethon, rrezatimi, duhani dhe sëmundjet, luajnë një rrol shumë më të madh sesa AND-ja, në zhvillimin e kancerit. Studiuesi thonë se mbi 90 për qind e rasteve të prekjes nga kanceri mund të parandaloheshin nëse të gjithë këto faktorë do të mund të evitoheshin. Sipas tyre, zakone të shëndetshme si mospirja e duhanit, të paturit një peshë trupore të ekuilibruar, të ngrënit shëndetshëm dhe konsumimi i sa më pak alkool, nuk garantojnë se nuk do të prekeni nga kanceri, por këto faktorë ulin në mënyrë dramatike rrezikun për t’u prekur nga sëmundja. Vitin e shkuar, një tjetër studim doli në përfundimin se pjesa më e madhe e rasteve të kancerit shkaktohen nga probleme të AND-së, që gjenerohen rastësisht teksa trupi plaket dhe qelizat e tij ndahen. Shkencëtarët thanë se kjo tregonte se, pjesa më e madhe e rasteve të kancerit, vinin për shkak të “fatit të keq”. Për studimin e fundit, u vrojtuan katër analiza të mëparshme rreth shkaqeve të prekjes nga kanceri, si dhe disa nga të dhënat që u përdorën në studimin e një viti më parë. Megjithatë, rezultatet janë të kundërta. Dr.Yusuf Hannun, i Universitetit Stony Brook, në SHBA, tha se teksa fati luan rrol, faktorët që na rrethojnë janë shumë më të rëndësishëm. Kjo përfshin dietën ushqimore, alkoolin, duhanin, rrezet e dëmshme të diellit, disa viruse, ndotja e ajrit dhe disa faktorë të ngjashëm, që mbeten për t’u identifikuar. Në një artikull për revistën “Nature” Dr. Hannun tha se genet e trashëguara nga prindërit janë shkaktarë vetëm në një numër të vogël të rasteve të kancerit.