Steven Spielberg e ka humbur betejën për Oscar me Netflixin

Steven Spielberg e ka humbur fushatën e tij me Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit për t’i ndaluar filmat e prodhuar nga sajtet për streaming si Netflix që të konkurrojnë për Oscar.

Akademia zbuloi të martën se Bordi i Guvernatorëve kishte miratuar një varg ndryshimesh të reja të rregullave përpara ceremonisë së ardhshme të 92-të për Oscar (2020).

Derisa ndryshimet ndikojnë në një numër kategorish, presidenti i Akademisë, John Bailey, e adresoi drejtpërdrejt debatin e streamingut dhe sugjeroi që, me ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve, është e rëndësishme që organizata të përshtatet në përputhje me rrethanat.

“Ne e mbështesim përvojën teatrale si pjesë integrale të artit të filmave, dhe kjo peshoi shumë në diskutimet tona”, tha ai. “Rregullat tona aktualisht kërkojnë shfaqje në kinema, dhe gjithashtu e lejojnë një përzgjedhje të gjerë të filmave që do të dorëzohen për shqyrtimin për Oscar. Planifikojmë t’i studiojmë më tej ndryshimet e thella që ndodhin në industrinë tonë dhe t’i vazhdojmë diskutimet me anëtarët tanë për këto çështje”.

Filmi i Netflix “Roma”, i cili gjithashtu e kishte një shfaqje në kinema, dominoi në listën e shkurtër për Oscar në vitin 2019, ndërkohë që i fitoi tre çmime.

Regjisori i “Jurassic Park”, 72 vjeç, kishte argumentuar se filmat e prodhuar për shërbimet streaming duhet të jenë të kualifikueshëm për Emmys, ceremoninë që i nderon serialet televizive, në krahasim me çmimet e Akademisë, shkruan KOHA Ditore.

Derisa Spielberg më parë iu referua filmave streaming si “filma televizivë” në një intervistë me ITV News, filmi i ardhshëm origjinal i Netflix, “The Irishman” pritet të kalojë mirë në ceremoninë e Oscar për vitin 2020, ndërkohë që ylli filmik Robert De Niro reflektoi për ndikimin pozitiv të Netflixit në industrinë e filmit.

“Shumë mundësi kanë ardhur nga Netflixi,” tha 75-vjeçari për CNN. “Nuk është kaq e thjeshtë dhe jam dakord se duhet ta kemi formatin e kinemave, është shumë e rëndësishme. Por nuk e di, gjërat lëvizin në mënyra që nuk mund t’i parashikojmë”.