Stërvitje taktike me qitje me mbushje dhe qitje artilerike me minahedhës 120mm është mbajtur sot në “Krivollak” në suaza të stërvitjes terrenore “Goditje vendimtare”, e cila nga 5 qershori e deri më 9 korrik, në dy rotacione po mbahet në Qendrën për Mbështetje të Stërvitjes.
Igor Manasovski drejtori i stërvitjes theksoi se kjo stërvitje dhe të gjitha aktivitetet janë rezultat i procesit që është planifikuar që një vit e gjysmë së bashku me partnerët e Armatës sonë nga Pensilvania, Kolorado Gardës Kombëtare nga SHBA-ja, Bullgaria, Shqipëria dhe Mali i Zi.
“Stërvitja në parim duhet të sigurojë rritje të nivelit të ndërveprimit dhe bashkëveprimit të të gjithë pjesëmarrësve dhe në fund të mundësojë aftësim të të gjitha elementeve që të mund të funksionojnë bashkërisht në një operacion të ardhshëm të përbashkët me partnerët tanë”, theksoi Manasovski.
Ai theksoi se numri i pjesëmarrësve në stërvitje do të arrijë deri në 2.700 persona, se në të janë përfshirë më shumë se 400 automjete motorike, si dhe njësi ajrore nga Armata jonë dhe nga SHBA-ja, duke theksuar se për momentin në poligonin “Krivollak” ndodhen rreth 1.800 ushtarë.
Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së Xhozef Lengiel potencoi se vendi ynë është partner shumëvjeçar i SHBA-së. Theksoi se me stërvitjen “Goditje vendimtare” dërgohet porosi e qartë deri te të gjithë armiqtë se SHBA-ja dhe aleatët e saj vazhdimisht stërviten dhe se rrisin nivelin e gatishmërisë. Ai u shprehu falënderim ushtarëve dhe familjeve të tyre për kontributin e tyre dhe theksoi se poligoni “Krivollak” është shumë i madh dhe mirë i përgatitur për demonstrimin e ushtrimeve me përdorim të armëve.
Armata jonë dhe ushtria e SHBA-së marrin pjesë me nga 1.300 ushtarë, derisa Mali i Zi me 75, Lituania 10, Bullgaria 25 dhe Shqipëria me 25 ushtarë. Me stërvitjen armatat do të sigurojnë sinkronizim të forcave dhe kapaciteteve të disponueshme midis forcave për operacione speciale të vendeve partnere.(koha.mk)