Kombëtarja ka zhvilluar seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit të ri, Cristian Panucci. Nga 23 kuqezinj, në këtë stërvitje kanë marrë pjesë 21 prej tyre, ndërkohë që Migjen Basha dhe Jahmir Hyka do të mbërrijnë sot, për shkak të angazhimeve me klubet dhe largësisë. Vlen të theksohet se ka qenë një stërvitje 60-minutëshe, e hapur për mediat dhe tifozët. Ajo është zhvilluar në “Selman Stermasi”, stradium i cili do të jetë shtëpia e kuqezinjve për këto dy ndeshje kualifikuese të radhës, ndaj Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë. “Debutimin” e trajnerit të ri italian e kanë përcjellë nga afër edhe presidenti Armand Duka dhe zëvendësi i tij, Lutfi Nuri. Asnjë prej lojtarëve të pranishëm nuk ka shfaqur probeme fizike. Grupi kuqezi u nda fillimisht në dy pjesë. Në njërën u stërvitën lojtarët e aktivizuar në fundjavë me skuadrat e tyre, ndërsa në pjesën tjetër ishin lojtarët me më pak minuta në këmbë.