Mosnjohja e gjuhës shqipe nga ana e maqedonasve burimin e ka në mendësinë e tyre që lidhet me gjoja të drejtën e trashëgimisë së shtetit. Nisur nga kjo logjikë, ata refuzojnë ta mësojnë shqipen sepse frikësohen se në këtë mënyrë me automatizëm do ta ndajnë shtetin me shqiptarët
Destan JONUZI
Shkup, 16 shkurt – Edhe pse nga pavarësia e Maqedonisë e deri para gjashtë apo shtatë viteve, mësimi i gjuhës shqipe paraqitej si një dukuri e rrallë midis maqedonasve, kohët e fundit interesi për mësimin dhe njohjen e shqipes dukshëm është rritur, në më shumë shkolla private për mësimin e gjuhëve ofrohen edhe kurse për mësimin e gjuhës shqipe, shkruan gazeta KOHA. Por, nga ana tjetër, në pjesën dërmuese të komunitetit maqedonase ende ekziston një refuzim ndaj shqipes. Përshtypjet e tyre jo të mirat ndaj shqipes bazohen vetëm mbi bindjet streotipe të ndërtuara ndër vite antishqiptare, se gjoja çdo avancim i shqiptarëve është i dëmshëm për ta, gjë që praktika e ka dëshmuar të kundërtën.
Studiuesi Nijazi Muhamedi thotë se nuk është problem se ata (maqedonasit) nuk e kanë lexuar ligjin e gjuhëve, sepse këtë perceptimin negativ nuk e manifestojnë tash ata, por është problem se përfaqësuesit politik të shqiptarëve as e kanë lexuar, as e kanë kuptuar, as kanë shtuar ndonjë fjalë në hartimin e këtij ligji dhe sjelljen e këtij ligji, po dhe zbatimin e tij e kanë bërë plaçkë pazari politik. “Pra, vetë shitja e leximit të këtij ligji si ‘barazi gjuhësore’ dhe ‘historike’ nga ana e gjithë atyre përfaqësuesve në Kuvend, është një sjellje vetëposhtëruese e tyre ndaj gjuhës shqipe, pra, ndaj dinjitetit të gjuhës që është manifestimi më konkret ndaj dinjitetit të popullit që e flet atë gjuhë. Por, ky dinjitet i gjuhës, shikuar politikisht, u rrëzua kur u pranua tash që statusi i shqipes nga dinjiteti kushtetues i tij sipas MO-së, u rrënua në status juridik, si e drejtë dhe garanci ligjore, dhe ky është një dallim i madh dhe të mos flasim edhe për dimensionet e tjera poshtëruese që i nënkupton një status juridik kontrovers i legjitimuar nga përfaqësuesit e të gjitha sojeve politike të anës shqiptare”, deklaroi Muhamedi për gazetën KOHA.
Në rrethanat aktuale, maqedonasit për të mësuar shqipen për një orë prej 45 minutash, paguajnë nga 500 deri në 600 denarë, por llogaritet si çmim i lartë, ndërsa çmimet mujore nëpër shkollat për gjuhë të huaj, arrijnë nga 1.200 deri në 1.600 denarë, ndërkohë që në Qendrën për gjuhë të huaja, këto kurse janë dukshëm më të shtrenjta. Trendi i mësimit të shqipes së pari u përhap midis gjuhëtarëve të cilët vetëm se zotëronin dy apo më shumë gjuhë, ndërsa më pas u përhap edhe te maqedonasit të cilët kërkojnë punë apo pozicione më të mira. Ndërkaq te firmat private dëshira për të mësuar shqipen u përhapë për shkak të zhvillimit të biznesit, shumë kompani nga Maqedonia bashkëpunojnë me bizneset në Kosovë dhe Shqipëri. Po ashtu, një interes të madh për mësimin e shqipes ka edhe midis mjekëve dhe personelit mjekësor, sidomos në spitalet private nëpër të cilat ka shumë pacientë nga Kosova, dhe për të tërhequr sa më shumë prej tyre ata mësojnë gjuhën shqipe.
Nehas Sopaj, poet, shkrimtar, pedagog e studiues i letërsisë, në një prononcim për gazetën KOHA thotë se te maqedonasit ekziston një paragjykim politik sa i përket njohjes së gjuhës shqipe.
“Njohja e shqipes është një paragjykim politik te maqedonasit. Nuk e kam fjalën për paranoikët që hapur e manifestojnë urrejtjen ndaj gjuhës shqipe, të cilët mendojnë se janë pak, por e kam fjalën për ata të cilët kanë krijuar tabunë se shqipja është gjuhë ‘e vështirë’ dhe si e këtillë është e ‘rëndë’! Është e vërtetë se shqipja është gjuhë që është e mëvetësishme dhe si e këtillë, pak përkon me gjuhët sllave, por është e vërtetë publike si gjuhë e vjetër në trungun e saj ka psh. neologjizma me çka nuk mund të quhet e ‘rëndë’. Shqipja ka latinizma dhe greqizma në trungun e saj, si ndikime historike në jetën e popullit shqiptar me fqinjët, por edhe me gjuhët sllave. Pa hyrë në histori dhe politikë, është më se e qartë se shqiptarët si popull i vjetër në këto troje, meritojnë të mos përbuzen, të konsiderohen të barabartë dhe gjuhën e tyre duhet mbrojtur me ligj njëlloj si edhe maqedonishten. Që i bie se në epokën tonë të globalizmit, postmodernizmit dhe të internetit, shqipja po ndjehet shumë komode kur ajo, më në fund po del nga gabërrimet e tmerrshme të inferioritetit! Maqedonasit më së paku duhet të frikohen nga shqiptarët, sepse kjo është si frikë nga vetvetja”, deklaroi për gazetën KOHA, Sopaj.
Ndërkohë, gazetari Daut Dauti vlerëson se problemi është më i thellë dhe më kompleks seç duket në shikim të parë. “Nuk mund të shohim vetëm si një ‘qëndrim negativ’ ndaj shqipes të pamotivuar me asgjë. Ndërlidhen aspekte të ndryshme. Njëri aspekt është qëndrimi i maqedonasve, si etnitet dhe tjetër është aversioni manipulativ populist nga ndonjë subjekt dhe kryesore janë konceptet e ndryshme për shtetin, ku përzihen teori e praktika. Atje kundërshtarët e gjuhës shqipe gjejnë ‘strehim’. Njeriu i rëndomtë (populli), në shumicë, nuk lodhet fare se si dhe sa do të përdoret një gjuhë në shtetin e tyre. Këtu janë ‘suflerët’ politikë që t’ua përkujtojnë, ata zmadhojnë gjërat dhe i paraqesin si rrezik. Rrezik për shtetin, rrezik për gjuhën, rrezik për identitetin e tyre. Rrezik dhe nga agjendat ‘tjera’. Nëse këto ia përsërisin popullit me vite nëpër fushata të nxehta dhe nëpër media të kontrolluara, ku shpesh nuk dihet nëse manipulimi me këto ‘rreziqe’ është nga bindja apo nga qëllimi që të sigurohet pushteti përmes manipulimit për t’u treguar si shpëtimtarë dhe të marrin kështu votën, atëherë është e natyrshme ajo ndjenjë që kanë shumë njerëz. E keqja është se në këtë manipulim pa kurrfarë mëshire i përfshijnë të rinjtë. Dhe pastaj kemi këtë disponim që kemi, që dikush të fshijë mbishkrimet në gjuhën shqipe ose të kemi atë shfryrje iracionale nëpër stadiume e ndonjëherë edhe nëpër shkolla”, thotë për gazetën KOHA, Dauti.
Nëse ajo që u tha më sipër, shprehet më tej ai, i përket atij nacionalshovinizmi vulgar dhe me diskurs edhe manipulativ, më problematike kanë qenë tezat me bazë teorike, të cilat thonë se përdorimi i më shumë gjuhëve rrezikon inkluzivitetin, krijon botë paralele në shoqëri (deri në një masë, nëse nuk gjendet modeli i duhur, mund të jetë e vërtetë, siç kemi gjeneratat e reja te shqiptarët që gjithnjë e më pak e flasin maqedonishten), krijon organe jofunksionale… “Trumpetimi i këtyre tezave që lidhet shpesh edhe me modele shoqërish ‘integruese’ ku barabarësia realizohet si e drejtë individuale, ka ndikuar jo pak që edhe në qarqe më të moderuara intelektuale, akademike a politike, ta mbrojnë këtë tezë se ai model është ‘për të mirën e përgjithshme’. Aspekti kryesor i mbjelljes së frikës janë konceptet për shtetin, gjegjësisht synimet shekullore që ka një popull, që ndoshta ndeshet me synimet e një populli tjetër me të cilin bashkëjeton. Me fjalë tjera, çdo popull do të donte të jetë zot në ‘shtetin e vet’, ‘pa e ndarë’ me askë, prandaj dhe te elitat maqedonase ekziston një frustrim pse tash kur u krijuan kushtet për shtet të pavarur, ta ndajmë atë me shqiptarët?! Dhe këto elita nuk e kanë kuptuar se me shqiptarët përherë i kanë pasur punët më mirë kur u kanë krijuar kushte juridike për t’i gëzuar të drejtat kolektive, se sa kur i kanë ulur ato”, nënvizon Dauti.
Sipas statistikave të fundit, pjesa dërmuese e shqiptarëve e njohin gjuhën maqedonase, ndërsa vetëm 3 % e maqedonasve e flasin dhe njohin gjuhën shqipe. (koha.mk)