Tenistja amerikane Sloane Stepens ka fituar grand slemin e “US Open” për femra, duke mundur 2-0 (6-3, 6-0) në finale patrioten e saj Madison Kejs. Ky është suksesi i parë i madh për tenisten 24-vjeçare, që mposhti me shumë lehtësi në finale Kejs. Kjo ishte një finale surprizë, pasi askush nuk e kishte imagjinuar një sfidë të tillë për titull në fillim të këtij turneu. Një derbi amerikan, madje edhe në gjysmëfinale ishin kualifikuar 4 teniste amerikane. Shumë nga tenistet pretendente për këtë turne dorëzuan armët një e nga një nga njëri tur në tjetrin, duke e bërë këtë finale një surprizë. Duket se një brez i ri për tenisin amerikan po vjen, po kaq i shkëlqyer sa ai i motrave Uilliams.
Ndeshja nuk pati shumë histori, teksa vetëm në fillim të setit të parë pati pak rivalitet, pasi pas barazimit 2-2 është Stepens ajo që dominon në fushë, duke pasur epërsi. Ajo shkëputet dhe fiton 6-3 setin e parë, ndërsa i dyti është një formalitet për Stepens, që nuk i fal asnjë “game” rivales së saj Kejs, që duket e çoroditur dhe për asnjë moment nuk arrin të rivalizojë. Sloane Stepens fiton 6-0 setin e dytë dhe krejt ndeshjen finale 2-0, duke nisur një festë të çmendur dhe të merituar këtë triumf të parë në një grand slem. Një finale që zgjati vetëm 60 minuta, me Stepens që e dominoi atë, ndërsa Kejs për asnjë moment nuk e shijoi këtë finale, pasi ishte sikur nuk e luajti atë.