Me rastin e paralajmërimeve se presidenti kosovar Hashim Thaçi të mërkurën do t’i vizitojë komunat në Luginën e Preshevës në Serbi, ministri serb i Punëve të Brendshme Nebojsha Stefanoviq deklaroi se policia në këtë, si dhe në çdo lloj rast tjetër, do të veprojë në suaza të urdhëresave ekzistuese gjyqësore.
Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, në pyetjen e gazetarëve nëse Serbia në rast të ardhjes së Thaçit do të veprojë në mënyrë diplomatike apo ai do të arrestohet sipas akuzave serbe, Stefanoviq u përgjigj se “ka urdhëresa nga gjykatat serbe të cilat duhet të respektohen dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të veprojë sipas urdhëresave gjyqësore”.
“Këtu nuk ka më shumë çka të shtohet”, theksoi Stefanoviq.
Në lidhje me vizitën e mundshme të presidentit kosovar në Luginën e Preshevës u pajtua edhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, e cila deklaroi se në Qeverinë e Serbisë “nuk ka arritur ndonjë paralajmërim për vizitë eventuale të Thaçit”, dhe se ai “duhet së pari t’i drejtohet Qeverisë serbe, e cila pastaj do të vendosë për këtë çështje”.
Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq gjithashtu deklaroi se nuk ka informata për vizitën e Thaçit.
Sipas pohimit të një pjese të mediave serbe, Thaçi së bashku me eurokomisarin për Zgjerim Johanes Han të mërkurën do t’i vizitojë komunat në Serbinë Jugore, ku jetojnë shqiptarët.