Me aktgjykimin e sjellë nga gjykata e shkallës së parë në tërësi u konfirmua teza e Prokurorisë se i akuzuari Nikolla Gruevski dhe të akuzuarit e tjerë, Sasho Mijallkov, Nenad Josifoviq, Jordan Kamçev dhe Risto Novaçevski, e kanë kryer veprën penale “pastrim parash” dhe përfitime të tjera nga vepra penale, i akuzuari Nikolla Gruevski e ka kryer veprën penale “fitim i kundërligjshëm dhe fshehje e pronës”, deklaroi prokurorja Lile Stefanova.
Ajo vlerëson se Prokuroria në këtë rast, siç tha, “ofroi dhe janë nxjerrë dëshmi cilësore prej të cilave në tërësi u dëshmua dispozitivi i aktgjykimit”.
“Lidhur me të akuzuarin Nikolla Gruevski u dëshmua se derisa ka qenë kryeministër ka vepruar në mënyrë korruptuese, ka fituar pronë origjinën e së cilës e ka fshehur, nuk e ka paraqitur në listën e tij anketuese, ndërsa gjithashtu, në tërësi u dëshmua se në vitin 2012 përmes kompanive, of-shor me skema të ndërlikuara, të cilën edhe sot edhe gjykata e elaboroi në tërësi, pas vetes ka blerë pronë në Maqedoni me mjete të fituara në mënyrë të paligjshme”, elaboroi ajo.
Stefanova potencoi se për të me rëndësi të veçantë është konfiskimi i shqiptuar, dhe, siç tha, vlerëson se kjo është e rëndësishme për të gjithë shoqërinë.
“Edhe pse shumat që i dëgjuat, ndërsa që i lexoi gjykata, pronat janë evidentuar me shuma më të ulëta, për momentin, tri banesat luksoze në Panorama Rezidens, dy banesa në rrugën në të cilat ka jetuar Nikolla Gruevski, ndërsa tani jeton familja e tij, toka e pandërtuar ndërtimore në Vodno në sipërfaqe prej 2.700 metra katrorë, prona në Krushevë dhe toka që ishte konfiskuar, ndërsa sipas së cilës edhe kjo lëndë e mori emrin “Parcelat në Vodno” për momentin, sipas vlerës tregtare vlejnë rreth 3 milionë euro, tha ajo.
Prokurorja për një pjesë të dënimeve vlerëson se janë vlerësuar drejtë, por për një pjesë të dënimeve, siç tha, “do të presim ta marrim aktgjykimin e përpunuar me shkrim dhe do të vendosim nëse do të shtrojmë ankesë”.
“Këtë veçanërisht e mendoj për dënime e shqiptuara ndaj të akuzuarit, Nikolla Gruevski dhe të akuzuarit Sasho Mijallkov”, tha ajo, duke shtuar se kërkon dënime më të mëdha.
Këshilli gjyqësor në kuadër të Gjykatës Themelore Penale – Shkup sot shqiptoi dënim me burg prej shtatë vjetësh për ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, i akuzuar për pastrim parash dhe përfitimin e paligjshëm dhe fshehjen e pronës. Kumbara i tij, Risto Novaçevski është i dënuar me dënim me kusht në kohëzgjatje prej dy vitesh, biznesmenët Nenad Josifoviq me dënim me kusht prej dy vjetësh, Jordan (Orce) Kamçev është i dënuar me një vjet burgim, të cilët gjithashtu janë të akuzuar edhe për “pastrim parash”, ndërsa kushëriri i parë i Gruevskit dhe ish-drejtor i DSK-së, Sasho Mijallkov për “ndihmesë gjatë veprës penale pastrim të parave dhe përfitime të tjera nga vepra penale” mori burgim prej një viti e tre muaj.