Sindikatat kërkojnë vendosjen e stazhit të beneficuar për punëtorët e ndërtimtarisë, si dhe për veprimtaritë e tjera ku detyrat e tyre të punës zhvillohen në kushte shumë të rënda për punë, e që në mënyrë të dëmshme ndikojnë ndaj jetës dhe shëndetit të punëtorit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 shkurt – Një pjesë e sindikatave në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që stazhi i beneficuar të vlejë edhe për 15 profesione të tjera. Kërkohen edhe garancitë ligjore për pagesën e një ore pune. Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Ndërtimtarisë, si dhe Sindikata e Pavarur e Transportuesve kërkojnë të ndryshohet Ligji për marrëdhënie pune, dhe të ndryshohet lista e vendeve të punës për të cilën përllogaritet stazhi i beneficuar. Sindikalistët kërkojnë që ky stazh të vlejë edhe për marangozët në ndërtimtari, operatorët e të gjitha llojeve të makinave ndërtimore, vozitësit e kamionëve të rëndë, punëtorëve që punojnë në lartësi të mëdha, kirurgët, saldatorët, taksistët, punëtorët e sigurimit që punojnë turnin e natës etj, shkruan gazeta KOHA.
“Kjo listë mund të plotësohet në mënyrë shtesë në rast se nuk kemi vendosur ndonjë profesion që meriton përvojë pune shtesë. Njëherësh, lista e profesioneve për të cilat kërkohet stazh i beneficuar do të dorëzohet në Qeveri dhe në Ministrinë për Punë dhe Çështje Sociale”, thotë Aço Trajkovski, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ndërtimtarisë. Në ndërkohë, Strasho Jovanovski nga Shoqata e Transportuesve “MakamTrans”, thotë se kjo listë duhet të plotësohet edhe profesionin e gazetarisë, për shkak të rreziqeve për jetë që shkaktohen nga ky profesion.
Ai shton më tej se nuk do të ketë efekt miratimi i Ligjit të ri për marrëdhënie pune në rast se i njëjti nuk harmonizohet me ligjet për organizim sindikal dhe për orën më të ulët të punës të garantuar të punëtorëve, që një kohë të gjatë kërkohet nga ana e sindikatave. “Propozim-ligji i cili gati 20 vite po qarkullon nëpër institucionet relevante si propozim për orën e punës më të ulët të garantuar dhe pagesën e obligimeve të punës të punëtorit, askush nuk dëshiron ta pranojë dhe të votojë për shkak se atëherë nuk do të ketë shkelje ndaj xhepit të punëtorit”, thekson Jovanovski.
Në ndërkohë, edhe nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkojnë zgjerimin e profesioneve për të cilat do të vlejë stazhi i beneficuar. “Kërkojmë vendosjen e stazhit të beneficuar për punëtorët e ndërtimtarisë, si dhe për veprimtaritë e tjera ku detyrat e tyre të punës zhvillohen në kushte shumë të rënda për punë, që në mënyrë të dëmshme ndikojnë ndaj jetës dhe shëndetit të punëtorit”, thonë nga LSM. Nga atje shtojnë se nevojitet edhe vendosja e pensionit të moshës me 35 përvojë pune për gratë dhe 40 vjet përvojë pune për burrat përkundër moshës. Kërkohet edhe vendosja e pensionit të parakohshëm sipas moshës me 57 vjet për gratë me 15 vjet përvojë pune dhe 59 vjet për burrat me 15 vjet përvojë pune. Shfrytëzues të një pensioni të tillë do të ishin punëtorët që punojnë, por nuk mund të vazhdojnë me pune për shkaqe shëndetësore, falimentim apo likuidim të ndërmarrjeve, apo janë të pa punë, por plotësojnë kushtin prej 15 vite përvojë pune. Një pension i tillë do të realizohej vetëm me vullnetin dhe dëshirën e punëtorit.
Sindikatat kërkojnë që punëtorëve t’ju mundësohet që vetë të paguajnë kontributet për sigurim pensional apo blerjes të stazhit në rast se nuk është plotësuar kushti për 15 vjet përvojë pune, deri pesë vite para plotësimit të kushtit për pensionim. Kërkohet që të mundësohet që edhe punëdhënësi të mund të paguajë stazhin për punëtorin që është pesë vite para plotësimit të kushtit për pensionim, me kërkesë të punëtorit. Ndryshe, sipas dispozitave ligjore, përvojë pune të beneficuar fitojnë personat kur punëdhënësi ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtje, por megjithatë ato shkaktojnë rrezik për shëndetin (xehetarët, punëtorët në furrat e lata) për shkak të zvogëlimit të funksioneve fiziologjike të organizmit nuk mund të kryejnë angazhimet e tyre në vendin e punës. Stazh të tillë të privilegjuar gëzojnë edhe balerinat, pilotët, pjesëtarët e policisë dhe armatës, zjarrfikësit, varrmihësit, këngëtarët, barinjtë, vozitësit e autobusit dhe trenit, personeli i ndihmës së shpejtë, që kanë mundësi të punojnë një vjet, ndërsa stazhi i punës t’ju llogaritet në mënyrë shtesë prej dy deri gjashtë muaj plus. Për punëtorët e ndërtimtarisë ekziston përvojë pune e beneficuar, por vetëm nëse punojnë në hapjen e tuneleve.
Stazhi i beneficuar vlen edhe për punëtorët në industrinë e gomave dhe atë grafike, industrinë e elektro-materialeve, guroreve, industrinë e qeramikës, përpunimin e lëkurës, thertoret, punëtorët e ujësjellësit dhe kanalizimit, higjienës komunale, pastruesit e oxhaqeve, përpunimit të naftës, industrinë organike-kimike, mirëmbajtjen e largpërçuesve të rrymës, etj. Tek stazhi i beneficuar, 7 vjet të kaluara në mënyrë efektive në vendin e punës 12 muaj llogariten si 13 muaj. Në 6 vite, 12 muaj llogariten 14 muaj, në 5 vite – 12 muaj llogariten 15 muaj, në 4 vite – 12 muaj llogariten 16 muaj, 3 vjet dhe gjashtë muaj – 12 muaj llogariten 17 muaj dhe në 3 vite – 12 muaj llogariten si 12 muaj. (koha.mk)