“Deri tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë në Gjykatën Penale të Shkupi. Kur avokati mungon për arsye objektive, atëherë detyrë e gjykatësit është që të kontaktojë me avokatin dhe të pyet nëse vallë ka avokatë tjetër i cili do ta zëvendësojë. Gjykatësi në këso rrethana të akuzuarit nuk ka të drejtë t’i caktojë avokat sipas detyrës zyrtare. Pastaj duhet të pyetet edhe i akuzuari nëse dëshiron avokat sipas detyrës zyrtare…”, tha avokati Naser Raufi
Omer XHAFERI
Shkup, 14 dhjetor – Këshilli Penal në rastin “Monstra” i drejtuar nga gjykatësi Ognen Stavrev, ka bërë shkelje flagrante të Ligjit për procedurë penale, kur pa pëlqimin e të akuzuarve – atyre ju ka caktuar avokat sipas detyrës zyrtare. Për këtë arsye, avokati Naser Raufi, paralajmëron se ndaj gjykatësit Stavrev, deri te Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, do të parashtrojë kërkesë për shkarkimin e tij si gjykatës, pasi në procedimin e kësaj lëndë, i njëjti nuk është treguar objektiv.
“Deri tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë në Gjykatën Penale të Shkupi. Kur avokati mungon për arsye objektive, atëherë detyrë e gjykatësit është që të kontaktojë me avokatin dhe të pyet nëse vallë ka avokatë tjetër i cili do ta zëvendësojë. Gjykatësi në këso rrethana të akuzuarit nuk ka të drejtë t’i caktojë avokat sipas detyrës zyrtare. Pastaj duhet të pyetet edhe i akuzuari nëse dëshiron avokat sipas detyrës zyrtare. Mos dhashë Zoti, të vdes avokati, seanca duhet të anulohet, gjegjësisht në këtë rast avokati Asmir Alispahiç, ka munguar pasi ka qenë i sëmurë dhe ketë e ka arsyetuar me dokumente zyrtare”, tha avokati Naser Raufi.
Akuzat dhe qëndrimet e prokurores Fatime Fetai, se pala mbrojtëse synon zvarritjen dhe prolongimin e rastit “Monstra”, për avokati Raufi, janë të pabaza. “S’kemi interes ne si palë mbrojtëse që kjo lëndë të zvarritet. Akuzat e prokurorisë nuk qëndrojnë fare. Ne çdoherë kemi qenë për përshpejtimin e këtij rasti. Asnjëherë deri tani nuk kemi munguar. Mungesa e tashme është objektive. Prokuroria ka dyshuar se ne bëjmë lojëra që të zvarritet kjo lëndë. Por, kjo është vetëm në kokën e Fatime Fetait. Fillimisht pozitive me Kovid-19 doli njëra prej avokatëve që është caktuar sipas detyrës zyrtare në këtë lëndë, avokatja Milica. Pas asaj u helmua avokati Asmir Alispahiç, dhe më pas doli pozitiv me koronavirus. Dmth, dy avokatë kanë munguar për arsye objektive. Prokuroria duke iu qasur në këtë mënyrë rastit, e dha edhe propozimin për paraburgimin për Agim Ismailloviqin dhe Fejzi Azirin”, sqaron avokati Raufi.
Sipas tij, deri më tani nga fillimi i rastit janë zhvilluar mbi 230 seanca dhe asnjëherë nuk e kemi munguar, aq më pak ta pengojmë ecurinë e procesit.
“Ne si avokat kemi qenë shumë për bashkëpunim me prokurorinë. Nervoza te prokuroria filloi të shfaqet kur ne si palë mbrojtëse, filluam t’i propozojmë dëshmitë tona (rikonstruimin e ngjarjes, prezantimin e dëshmitarëve etj). Prokuroria mendon se me propozimet tona, ne synojmë të zvarritet seanca. Ndërkohë, kjo është e drejtë e jona themelore si palë mbrojtëse. Vonesa s’ka lidhje. Falsifikimi i ekspertizës për dheun e veturës ‘Opel Omega’ është tepër me rëndësi, kjo e tregon gjithë montimin”, thekson avokati Naser Raufi.
Ndryshe, në njoftimin e Gjykatës Penale të Shkupit për këtë lëndë, thuhet se pasi është konstatuar mungesa e avokatit Asmir Alispahiç, i është propozuar avokati Naser Raufi që ta zëvendësoj kolegun e tij. Mirëpo, sipas gjykatës, i njëjti ka refuzuar ta bëjë këtë gjë. Gjithashtu nga atje theksuan se nëse ishte anuluar seanca e fundit, gjykimi në seancën e ardhshme formalisht do të fillonte nga e para (për shkak të skadimit të 60 ditëve) dhe do të vazhdonte vetëm me leximin e dëshmive të prezantuara deri më tani. Megjithatë, edhe ky propozim ka hasur në mosmarrëveshje dhe avokatët janë larguar nga seanca. Për këto arsye, gjykata në seancën e kaluar të gjithë të akuzuarve u ka caktuar avokat sipas detyrës zyrtare, gjegjësisht në seancën e 11 dhjetorit është prezantuar një dëshmi material-njoftim për një ekspertizë. Seanca e radhës për rastin “Monstra” vazhdon me 24 dhjetor. (koha.mk)