Shkup, 12 dhjetor – Në fund të muajit shtator, sipas Entit Shtetëror të Statistikës, numri i të papunëve është ulur në 23.4 për qind, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të publikuar, Republika e Maqedonisë numëron 949.944 persona, prej të cilëve 727.985 janë të punësuar, ndërsa 221.959 janë të papunë. Të dhënat e fundit statistikore për uljen e papunësisë në Maqedoni, sipas ekspertëve ekonomik, nuk janë reale, sepse ulja e të papunëve a në Maqedoni po ndodhë për shkak të fshirjes së një numri të madh të qytetarëve nga lista e evidentimit si të papunë nga Agjencia e Punësimit dhe e dyta, për shkak se një numër i madh i të rinjve të papunë, në pamundësi për të gjetur punë këto katër vitet e fundit janë shpërngulur nga Maqedonia. Akademiku Abdylmenaf Bexheti për gazetën KOHA thotë është paradoksale të besosh se në një vend që është gati katër vite në krizë politike dhe nuk ka rritje ekonomike të ulë numrin e të papunëve. “Ulje e papunësisë është operacion statistikor që në një mënyrë pastron data bazën në bazë të kontributeve sociale për një numër të madh të personave të evidentuar si të papunë. Është paradoksale në kohë krize politike dhe ekonomike të besosh se shteti ka ndikuar në uljen e papunësisë. Të gjitha analizat ekonomike tregojnë se në Maqedoni vite më radhë ka më pak të hyra në buxhet, që do të thotë se minusi në buxhet nuk mund të krijon benefiti për ekonominë e vendit, kurse më së paku në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Prandaj, të dalësh me të dhëna statistikore se Maqedonia po ulë papunësinë, nuk është asgjë tjetër vetëm mashtrim”, thotë Abdylmenaf Bexheti. Ndërkaq, profesori e ekonomisë, Besnik Fetahu, thotë se nëse të dhënat statistikore janë të vërteta se papunësia është ulur në 23.4 për qind, atëherë Maqedonia duhet të aplikon në “Librin e Guenisit” se në një periudhe krize dhe rënie ekonomike të vazhdueshme gjatë katër viteve të fundit, ka arritur të ulë papunësinë në Maqedoni, pothuajse gati 10 për qind. “Statistikat e institucioneve relevante ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar dalin me të dhëna se nga vitit 2011 e deri me sot nga Maqedonia janë shpërngulur mbi 100 mijë shtetas dhe numër i konsiderueshëm janë të rinj të dalësh më të dhëna zyrtare se Maqedonia në kohë krise politike dhe ekonomike, ka ulur papunësisë 8 vitet e fundit për 10 për qind nuk është asgjë tjetër vetëm iluzion i qeverisë aktuale. Nëse këto të dhëna do të ishin të sakta, atëherë Maqedonia me plotë të drejtë duhet të aplikon në “Librin e Guenisit” si shteti i parë në botë që arrin në kohë krize politike dhe ekonomike të ul papunësinë”, thotë profesori ekonomik Besnik Fetahu.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.