Në dhjetë vitet e ardhshme do të vihen në pikëpyetje qëndrueshmëria e financave publike, fondeve pensionale dhe tërë sistemi i sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore. Kjo për shkak se popullsia që po plaket është duke ushtruar një presion të madh jo vetëm mbi pjesën aktive të popullsisë, por edhe mbi të gjithë ekonominë, e cila po përballet me një kosto të lartë financiare për të siguruar shërbimet sociale për nxënësit, por edhe për të moshuarit
Evis HALILI
Shkup, 26 shtator – Trendet e ndryshimeve demografike të viteve të fundit do të pasqyrohen negativisht në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit në dekadat e ardhshme. Rritja e shkallës së varësisë së moshës, e cila në Maqedoni është shumë më poshtë sesa mesatarja e BE do të krijojë pas disa vitesh një situatë të atillë ku numri i punëtorëve që do të duhet të ‘punojnë’ për të mbajtur një pensionist do të jetë edhe më i vogël, që nënkupton se barra financiare mbi popullsinë e aftë për punë do të jetë më e madhe, shkruan gazeta KOHA.
Alarmi jepet nga Enti Shtetëror i Statistikave, sipas të cilit në dhjetë vitet e ardhshme do të vihen në pikëpyetje qëndrueshmëria e financave publike, fondeve pensionale dhe tërë sistemi i sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore. Kjo për shkak se popullsia që po plaket është duke ushtruar një presion të madh jo vetëm mbi pjesën aktive të popullsisë, por edhe mbi të gjithë ekonominë, e cila po përballet me një kosto të lartë financiare për të siguruar shërbimet sociale për nxënësit, por edhe për të moshuarit.
Ndryshe shkalla e varësisë arrin në 19. 2 për qind, që do të thotë se për një person inaktiv duhet të punojnë pesë të tjerë.
“Gjatë periudhës së kaluar vërehet një rritje e vogël por në kontinuitet e shkallës së varësisë së moshës, që tregon për raportin potencial mes numrit të pensionistëve dhe të popullsisë aktive në punë. Shkalla e plakjes së popullsisë është një element vendimtar që ndikon mbi qëndrueshmërinë afatgjatë, dhe kjo jo vetëm në aspektin biologjik. Shkalla e përshpejtuar e plakjes i redukton kapacitetet e shtetit që të përballet me një sërë problemesh, sidomos kur ky proces ndodh në kushtet e varfërisë, mungesës së resurseve, në zona ekologjikisht të cenueshme dhe në një model jostabil të prodhimit dhe konsumatorit”, analizohet ndër të tjera nga ESHS.
Në një prej dokumenteve më të fundit “Zhvillimi i qëndrueshëm” vërehet se ekuilibrat në strukturën e moshës së popullsisë janë prishur duke bërë që plakja e popullsisë të vazhdojë me ritme të përshpejtuara. Jetëgjatësia rritet, por një gjë e tillë nuk ndodh me fertilitetin, si parakusht për qëndrueshmërinë e popullsisë.
Fertiliteti është nën nivelin referues, duke arritur në më pak se dy fëmijë për një grua (1.43) dhe që do të thotë se pas disa vitesh do të sjellë ndryshimin e ekuilibrave mes gjeneratave dhe nevojën për të planifikuar fonde shtesë pensionale, mbrojtje shëndetësore, arsim dhe përkujdesje për më të moshuarit, transmeton KOHA.
“Këto ndryshime negative në madhësinë dhe në strukturën e moshës së popullsisë përbëjnë një sfidë të madhe për zhvillimin e qëndrueshëm në dekadat që vijnë. Pasi edhe faktorët demografikë, sidomos shkalla e fertilitetit kushtëzohen edhe nga faktorët ekonomikë dhe gjendja e tregut të pumës. Shtimi natyral i popullsisë gjatë viteve 50-të krijoi një popullsi që ose e ka mbyllur ciklin e marrëdhënieve të punës, ose që do të jetë në këtë fazë gjatë 20 viteve të ardhshme”, konstatohet nga demografët. (koha.mk)