Një statistikë interesante parashikon që titullin kampion të Bundesligës sivjet do ta fitojë Borussia Dortmund. Llogaritjet janë shumë të thjeshta, bazuar tek e kaluara. Verdhezinjtë deri tani janë skuadra më e dashur në Gjermani, sepse po bëjnë të mundur rrëzimin e bavarezëve, kampionëve në fuqi, pas një hegjemonie mërzitëse 4-vjeçare. Skuadra e trajnerit Peter Bosz ka pësuar vetëm një gol në gjashtë ndeshjet e para dhe po kryeson tabelën e klasifikimit me goleada pas goleadash.
Statistika që “ndjell” suksesin e BVB-së është e thjeshtë. Kur kjo skuadër fiton titullin dy vite rresht, gjashtë vite më pas shpallet sërish kampione. Kjo ka ndodhur në vitet 1956 dhe 1957, kur pas gjashtë sezonesh, pra në vitin 1963, verdhezinjtë u rikthyen në fronin e Bundesligës. E njëjta gjë është përsëritur në vitet 1995, 1996 dhe 2002.
Në vitet 2011 dhe 2012, kur Jürgen Klopp drejtonte në “Signal Iduna Park”, Borussia Dortmund shkroi një histori të madhe të suksesit në Gjermani, duke fituar dy sezone radhazi titullin. Kështu, cikli mund të përsëritet në majin e ardhshëm.