Mbetet të shohim se sa rrugëtimi euroatlantik në pritje i shtetit do të josh të rinjtë e profesioneve të ndryshme të mos ikin jashtë, por që së paku një pjesë e tyre të mendojnë të mbesin këtu
Nga Fisnik Pasholli
Thonë se të dhënat statistikore nuk duhet çdo herë ti marrim si të vërteta me 100 për qind, por duhet që këto shifrat që i shpalos statistika ti kuptojmë dhe analizojmë në ngjyrat e larmishme të ylberit me plot nuanca, dhe jo në koloritin bardhë e zi. Apo edhe ekspertët më të njohur të statistikës na udhëzojnë se puna e statistikës është si puna e sarmës, dikush han mish, tjetër han oriz, dhe ai i fundit han lakër. Apo ti kthehemi atij tregimit për dy fqinjët, ku njëri është i pasur dhe çdo ditë han mish, ndërsa tjetri është i varfër dhe han vetëm lakër. Në fund në lagjen e tyre në aspektin vetëm të statistikës, jetohet në mënyrë solide për shkak se të gjithë në mesatare ushqehen me sarmë.
Statistika, kjo degë kaq interesante, por edhe e mërzitshme në të njëjtën kohë, na tregon çdo gjë zhveshur apo cullak, por edhe na fsheh shumë gjëra në të njëjtën kohë, na udhëzon që të konstatojmë me qëllim apo pa hiri, më shumë gjëra në mënyrë të gabuar. Na ndihmon apo dhe na huton në punë, jetesë, shkencë, biznes, ekonomi, analiza të ndryshme. Na sjell deri tek një vërtetë apo deri tek një iluzion . në varësi prej mënyrës së përdorimit , apo metodologjisë së statistikës, ajo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme Kështu ulja e papunësisë mund të vjen si rrjedhojë, jo vetëm e vendeve të reja të punës të hapura në sektorin privat apo publik, por edhe nga ikja jashtë e fuqisë punëtore në një shtet. Apo rritja e pagës mesatare në total , mund ti detyrohet rritjes së pagës së një pjesë të veprimtarive ekonomike, por nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e popullatës janë shumë larg nivelit të pagës mesatare.
Gjithashtu, rezultatet në ndonjë degë ekonomike, prodhim apo shërbim mund të jenë shumë të zbehta po ti krahasojmë me të arriturat e një kampioni evropian, mund të jenë shumë të mira po ti krahasojmë me të arriturat e një shteti të varfër afrikan apo aziatik të lodhur nga luftërat , por edhe mund të jenë solide dhe të përafërta nëse krahasohen me rezultatet e një shteti që ka një mentalitet, traditë dhe zhvillim të ngjashëm ekonomiko-shoqëror me shtetin që krahasohet paraprakisht.
Mirëpo ekziston diçka që çdo kush në varësi edhe prej këndit që vështron dhe analizon, nuk mund ta anashkalojë. Trendi i uljes, rritjes apo ngadalësimit të një dukurie, procesi, fenomeni , problemi, çështje është diçka që askush nuk mund ta mohojë dhe as ta anashkalojë.
Shporta sindikale për shembull në shtet, nuk përfshin në analizat e saj së paku një veturë të përdorur nga importi, as një pushim së paku një javor për një familje, e të mos flasim për harxhimet e tjera të jetesës moderne që i imponon përditshmëria shpesh edhe pa na pyetur aspak sa kemi mundësi që ti mbulojmë ato. Pra ajo flet jo për standard minimal jetese të afërt me atë evropian, por për një standard minimal mbijetese ballkanas. Flet edhe për standardin e ulët në Maqedoninë e Veriut ku edhe me dy paga minimale nuk mund të mbulohet as edhe kostoja e harxhimeve më të domosdoshme për një familje prej katër anëtarësh , përgjatë një muaji.
Nga ana tjetër, edhe në rajonin e Shkupit, përkundër të dhënave statistikore se po rritet numri i firmave të reja që hapen, kjo më shumë i detyrohet shpresës së afaristëve se megjithatë do të kenë sukses me hapjen e bizneseve të reja.
Mirëpo brengosës mbetet fakti se në të gjitha shtatë rajonet e tjera ulet vullneti dhe dëshira e sipërmarrësve potencial që të vetëpunësohen dhe të hapin vende të reja pune për familjarët dhe më gjerë. Bile edhe në qytetet si Strumica, Gjevgjelia, Radovishi, apo Kavadari, Velesi dhe Shën Nikolli vërehet ulje e shpirtit sipërmarrës. Njëherësh edhe ulja e konsumit të gati të gjithë artikujve ushqimor në periudhë 2007-2017, flet se kemi një ikje të madhe të popullatës jashtë shtetit. Mbetet të shohim se sa rrugëtimi euroatlantik në pritje i shtetit do të josh të rinjtë e profesioneve të ndryshme të mos ikin jashtë, por që së paku një pjesë e tyre të mendojnë të mbesin këtu. Por mbetet të shohim se sa fermerët tanë do të arrijnë të krijojnë një standard minimal dhe jo ndonjë fitim të një gjermani apo italiani, dhe sa do kemi sukses në hapjen e bizneseve të reja në tërë shtetin dhe jo në tkurrjen e tyre. (koha.mk)