Qeverinë e Kovaçeskit do ta përcjellin një varg problemesh serioze, e që mund ta shpëtojë vetëm hapja e bisedimeve me BE-në nëse Bullgaria lëshon pe. Me këtë kapital, me kompromisin i cili sado të jetë i dhimbshëm mund të harrohet shpejtë(si ai me Greqinë) dhe mund të krijojë bazë për ngritjen e koalicionit të LSDM-së që pësoi rënie në zgjedhjet lokale
Nga Daut DAUTI
- Goditja e Dimitrovit
Nuk është aspak mirë që një qeveri të nisë punën duke nisur vrapin me disa hapa prapa. Madje në një pikë aq të ndjeshme siç është problemi me Bullgarinë. Ndoshta është dhe gabim taktik i kryeministrit të ri që ndër flijesat më të mëdha është mospërfshirja e ministrit të deritashëm të eurointegrimeve, Nikolla Dimitrovit, i cili hallin e tij personal përpiqet ta ngre si çështje nacionale. Madje dhe ndërnacionale dhe internacionale! Zoran Zaevi la punën lëmsh prapa me tërheqjen e tij, edhe pse një herë na u duk se gjithçka e kishte planifikuar mirë me ikjen e tij: me trashëgimtar, me raporte të harmonizuara midis partnerëve të koalicionit, me premtime të tjera për qeverisje ”të sigurt” gjer në fund të mandatit. Por, kungulli shkon mbi ujë deri sa shkon, e nuk shkon përherë. Kështu, ende pa u zgjedhur qeveria e re, kryeministrit të ri Dimitar Kovaçevski, i erdhi goditja “nga afër” (thënie e Mijallkovit “guri vjen nga afër”!). Duket se Nikolla Dimitrovit i mungoi fryma “sportive” e pranimit të “humbjes”. Ndryshe nga kolegët e tij Venko Filipçe dhe Mila Carovska, ai ndërrimin e mori shumë tragjik, duke i dhënë nuanca “programatike”. E paraqiti vetveten si pengesë në arritjen e marrëveshjes me Bullgarinë, duke shprehur haptas mosbesim ndaj kolegut të tij të deritashëm Bujar Osmani (me të cilin publikisht nuk ka pasur ndonjë mosmarrëveshje) se nuk ka besim se mund t’i mbrojë interesat shtetërore kundrejt Bullgarisë.
Dimitrovi me këtë “bombë” mëton të shkaktojë një rrëmujë shumëdimensionale, duke e vënë kryeministrin e ri dhe qeverinë e tij në një pozitë disavantazhi para publikut të gjerë. Gjest, para së gjithash, jo kolegial. Sepse, duke e paraqitur veten si mbrojtës të identitetit nacional maqedonas ai qartas publikut i thotë se qeveria ku nuk do të jetë më ai, nuk mund ta mbrojë këtë identitet! Niveli tjetër i debatit, që poashtu është problematik, është supozimi që le hapur ai se kundrejt Bullgarisë po bëhet një kompromis i dëmshëm dhe këtë e bën një ministër i qeverisë që është shqiptar që nuk e çan kokën fare për identitetin maqedonas! Domethënë, Qeveria e re e Kovaçevskit, i shet “lirë” interesat kombëtare maqedonase përmes një ministri shqiptar! Një karrem deri tash i sprovuar mirë për publikun e manipulueshëm! Nëse analizojmë “kompromisin” e supozuar, e që çështje kryesore ka përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë, kjo është një flijesë fare e vogël dhe në negociata ka qenë gjithë kohën në tavolinë dhe për këtë nuk ka pasur ndonjë kundërshtim prej tij. Por, nuk është kjo çështja kryesore, por argumentimi pse një gjë e tillë do të ishte shitje interesash kombëtare. Në kushtetutën e Maqedonisë dikur (në kohën e komunizmit), kanë qenë të përmendur maqedonasit, shqiptarët dhe turqit. Për këto dy vjet dekadash janë zhvilluar debate serioze dhe në kushtetutë janë përfshirë edhe serbët, turqit, vllehët, serbët, romët, boshnjakët… Disa nga këto bashkësi etnike me përqindje fare të vogël dhe përmendja e tyre në kushtetutë as e ngarkon as e shkarkon barrën e shtetit. Përfshirja e bullgarëve nuk do të ndryshonte asgjë, pos që shtetit do të bënte një gjest bujar, me të cilin Bullgarisë do t’i mundësonte të dalë nga qorrsokaku i mohimit të identitetit maqedonas me një gjest politik nga Maqedonia që nuk i dëmton interesat nacionale. Veprimi i Dimitrovit është paksa habitës, duke pasur parasysh se vjen prej një kuadri i cili ishte ministër një mandat e gjysmë duke mos qenë fare anëtar i LSDM-së, por i përfshirë si ish-kuadër i VMRO-së me përvojë dhe kualifikime profesionale në diplomaci. Ndoshta te ai tash ka ardhur në shprehje instinkti i mbijetesës, pasi mbetet pa bazë politike dhe praktikisht pa të ardhme, duke e ditur se e ka vështirë të kthehet te baza e tij, VMRO-DPMNE, kurse edhe më vështirë të mbetet me LSDM-në, duke mos qenë anëtar dhe duke e ditur se mandatin e mëparshëm e kishte peshqesh nga bujaria e Zoran Zaevit, si shpërblim për anti-gruevizmin. Nga ana e tij nuk është korrekte që largimit të tij i jep këso dimensionesh, duke i hedhur një njollë imazhit të qeverisë së re, në të njëjtin stil mendimi nga kohët më problematike të VMRO-së kur shqiptarët i shihnin si gogol. Kësaj radhe, direkt ose indirekt, Nikolla Dimitrovi ia la “jadecin” Kovaçevskit se është i varur nga kuadrot shqiptare në pjesën e mbrojtjes së interesave kombëtare maqedonase. Një klishe tashmë i sprovuar kaherë. Nga ana tjetër, s’është as kolegiale që apostrofon ministrin me të cilin deri tash janë koordinuar pikërisht për këto çështje të ndjeshme dhe nuk është e njohur të ketë pasur ndonjë disonancë. Kur jemi te disavantazhet e kryeministrit të ri dhe të qeverisë që nesër me gjasë do të zgjidhet(nëse partitë e vogla të koalicionit nuk i përgatisin ndonjë befasi ose kushtëzim që mund ta rrënojë vazhdimin e koalicionit),ato janë të shumta dhe shumë serioze. Me një gatishmëri të skajshme për të mbetur, duke i bërë diversion “shumicës” së “gatshme” të opozitës maqedono-shqiptare, këtë qeveri do ta përcjellin një varg problemesh serioze, e që mund ta shpëtojë vetëm hapja e bisedimeve me BE-në nëse Bullgaria lëshon pe. Me këtë kapital, me kompromisin i cili sado të jetë i dhimbshëm mund të harrohet shpejtë(si ai me Greqinë) dhe mund të krijojë bazë për ngritjen e LSDM-së dhe me këtë mund ta çojë mandatin deri në fund. Ndryshe, me interesat jo unike brenda koalicionit me shumicë të brishtë, me presionet e fuqishme të opozitës, qeverinë e Kovaçevskit do ta presë një periudhë e rëndë e agonisë, nga e cila shpëtimi do të ishte heqja dorë nga mbetja deri në fund të mandatit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.
- Këshilla falas për ministrin e ri, Bekim Sali…
Me votimin e qeverisë vjen edhe ministri i ri të Shëndetësisë, Bekim Sali, në një kohë të shpërthimit të serishëm të pandemisë. Duke kaluar një horror të vërtetë, me të drejtë presim diçka “më ndryshe” nga ministri në ardhje, Bekim Sali. Periudha e tij e ardhshme, shikuar nga këndvështrimi pesimist, mund të jetë një shpëtim për kolegun e tij që po shkon. Sepse, transmetueshmëria e variantit “omikron” që tashmë arriti edhe te ne, është shumëfish më e madhe, që detyrën e Bekim Salisë e bën padyshim mision të vështirë. Ai tash e ka mundësinë të dëshmojë nëse është nxënës i mirë që mund të mësojë nga përvojat e mira të të tjerëve (të këqijat i kemi ne si përvojë) dhe këtu para së gjithash, e ka Kosovën më afër se çdo vend tjetër, por dhe Shqipërinë, ku vdekshmëria është shumë më e ulët. Le të mos tingëllojë se një laik e mëson se çka duhet të bëjë një profesionist i fushës, porse si njerëz që merremi me veprimtari publike, kemi detyrë dhe të drejtë që t’i shtrojmë problemet. Bekim Sali duhet të imponojë një qasje të re në trajtimin e kovidit në aspektin e terapisë, sepse përvoja te ne tregon se në qendra të ndryshme spitalore, efektet e trajtimit janë të ndryshme, ndonëse të gjithë thonë se e zbatojnë protokollin e OBSH-së!!! Pse ndodh kjo, ku qëndron problemi, ministri i ri duhet shumë shpejtë të bëjë me ekipin e tij një analizë dhe të propozojë masa çfarë pritet të bëjë, të paktën, sa për ndryshim. Të shohë nëse problemi mos nisë në mjekësinë primare, te mjekët amë dhe orientimet që ua japin pacientëve me kovid. E dyta masë, është ajo administrative. Ai duhet të propozojë mbajtjen e detyrueshme të maskave (çfarë mendoj se është çelësi i suksesit të Kosovës) dhe të kërkojë nga qeveria dhe organet e ndjekjes ndëshkueshmëri strikte për mosmbajtje maskash brenda çfarëdo objekti publik dhe jashtë. Në kohën kur qytetarët kanë humbur besimin në vaksinat, dhe ato nuk sigurojnë mbrojtje absolute, gjëja më e gabuar do të ishte që të imponohet vaksinimi i detyrueshëm, përderisa shteti nuk garanton për efektet anësore. Sepse, aty-këtu te kategori të caktuara ka efekte të padëshiruara që e imponojnë skepticizmin, ndaj dhe njerëzve nuk mund t’ua detyrosh dhe pasojat e padëshiruara t’ua lësh atyre! Prandaj, e vetmja masë efikase në parandalimin e pandemisë, janë maskat! Maskat, maskat dhe vetëm maskat… Sepse, sa më shumë që po përhapet virusi, aq më i madh është numri i njerëzve pa maska që shëtisin të lirë dhe të pandëshkuar!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)