Po bëhen rreth gjashtë muaj që debati rreth një marrëveshjeje të mundshme përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë i nxehtë dhe nuk ndalet, rikujton ish-diplomati shqiptar, Dr. Arian Starova, aktualisht president i Këshillit Atlantik të Shqipërisë.
Ndërkohë, kemi parë se pjesë në rritje e këtij debati janë bërë elitat politike, ekspertë dhe njerëz të ndryshëm të mediave të Kosovës, të Serbisë të ShBA-ve dhe Europës. Në këtë debat, ku të gjitha arsyetimet e larmishme janë të natyrshme, përveç vlerësimeve të ndërsjella të palogjikshme dhe përjashtuese të një pjese të debatuesve si patriotë, tradhtarë, të shitur apo argatë të dikujt, aktori që ende nuk po përfshihet si duhet në të mbetet opinioni publik i Kosovës.
Po spikat edhe një interes i fortë ndërkombëtar, që po vjen duke u zmadhuar për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të ecin me mençuri drejt një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet tyre, e cila do të linte pas një histori të dhimbshme dhe të përgjakshme të konflikteve ndërmjet tyre. Autoritetet zyrtare të ShBA-ve dhe BE-së janë bërë zëdhënësit dhe mbështetësit më veprues të këtij interesi të mbështetur edhe nga ekspertë të ndryshëm.
Madje, në formën e një thashethemnaje të organizuar po sillet gjithandej nëpër hapësirat e dialogut virtual të internetit edhe një gjoja draft-marrëveshje, për të cilën është menduar dhe punuar në heshtje dhe me shumë seriozitet, duke lënë të nënkuptohet se pas saj ka aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, të interesuar për të ndjekur dhe analizuar me kujdes qëndrimet dhe vlerësimet ndaj ideve të saj të një numri më të madh të njerëzve.
Deri tani, ky debat përreth marrëveshjes Kosovë-Serbi e ka dhënë të paktën një fryt, sepse askush nuk mendon më se një marrëveshje e tillë e mundshme do të mund të hapte të ashtuquajturën “Kuti e Pandorës” të konflikteve të reja.
Për hir të së vërtetës, edhe në Kosovë, edhe në Serbi ka kohë që është ndierë se njerëzit e duan më në fund një marrëveshje të tillë. Të ashtuquajturat protesta popullore në Beograd (kundër autoritarizmit të Presidentit Vuçiç) dhe në Kosovë (kundër idesë së “korrigjimit” të kufijve të shprehur nga Presidenti Thaçi) duket se janë të frymëzuara nga interesa politike të ngushta, të përkrahura në mënyra të padukshme nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë, që rajonin e Ballkanit Perëndimor kërkojnë t’ua lenë peng orekseve gjeopolitike të së kaluarës dhe aktorëve përkatës.
Atëherë, natyrshëm mund të pyetet se përse debatohet?
Dy janë problemet thelbësore për të cilat debatohet. I pari, është ideja e përfshirjes në një marrëveshje të mundshme të ndryshimit ose “korrigjimit” të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. I dyti, është ideja e ndarjes së pasurive të Kosovës që mund të cenohen prej këtij “korrigjimi” të kufijve.
Së fundi, këtyre dy problemeve u është shtuar një i tretë, i cili nuk lidhet drejtpërdrejt me marrëveshjen, ai i rritjes me dyfish të taksës mbi prodhimet serbe, që hyjnë në Kosovë prej Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Pas kundërpërgjigjes së Serbisë se ajo nuk merr pjesë në dialog për aq kohë sa taksa mbi prodhimet serbe nuk hiqet, ky problem i fundit ka ndikuar dukshëm edhe në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve, të cilët kanë ngulmuar që autoritetet zyrtare të Kosovës ta pezullojnë këtë taksë. Të njëjtin qëndrim është duke mbajtur edhe BE-ja.
Të tria problemet e meritojnë plotësisht debatin për të cilin po flasim. Historia e vjetër dhe e re e Europës dhe e Ballkanit është e pashtershme, me shembuj që provojnë se dy problemet e para kanë qenë thuajse gjithnjë shkaktare të luftërave ose konflikteve të ndryshme. Kundërshtarët e idesë së “korrigjimit” të kufijve e kanë të përligjur ndjeshmërinë e tyre dhe u druhen mundësive të parashikuara të konflikteve të reja.
Problemi i tretë e meriton debatin në këndvështrimin e respektimit të ndërsjelltësisë në interesat dhe veprimet ndërmjet dy shteteve. Kjo nënkupton se, përderisa Serbia, ndërkohë që dialogonte me Kosovën bënte edhe një fushatë diplomatike kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, atëherë edhe Kosova e kishte të drejtën (madje të ushtruar me vonesë) të kundërpërgjigjej ndaj Serbisë, duke i cenuar asaj një interes thelbësor.
Dhe megjithatë, përvoja e vjetër dhe sidomos ajo moderne diplomatike, na këshillojnë që në rrethana të tilla të marrëdhënieve “të ngecura” ndërmjet dy vendeve, udhërrëfyes duhet të bëhet gjithnjë të menduarit rreth së ardhmes së atyre marrëdhënieve. Jo gjithnjë shkëmbehen vlera imtësisht të barabarta të njëkohshme ndërmjet vendeve që kërkojnë të arrijnë një marrëveshje madhore.
Të menduarit strategjik i lidhur me të ardhmen parashikon edhe shkëmbime të një të sotmeje të “ngecur” të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me një të ardhme miqësore dhe bashkëpunuese ndërmjet tyre. Dhe, në këtë rast të fundit, debatet mbi ekuivalencën e vlerave materiale kanë kuptim vetëm brenda një të sotmeje “të ngecur” në një udhë pa krye (dhe nën ndikimin e nacionalizmave të vjetruara) që të çon vetëm në “përplasje”.
Në rrethanat e krizës së marrëdhënieve për të cilat po arsyetojmë, paqja, bashkëpunimi dhe integrimi europian janë një e ardhme e sigurt, që qëndron pas portës së hapur nga një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mbi të gjitha, garantues të një marrëveshjeje të tillë të lidhur me të ardhmen janë ShBA-të dhe BE-ja, siç dëshmohet fare qartë dhe plot ndjeshmëri njerëzore në letrën e dërguar së fundi të nënshkruar nga tre zv.ndihmëssekretarë të qeverisë amerikane. Të nderuarit vëllezër të mi të Kosovës nuk duhet të harrojnë kurrë se ka ardhur koha përsëri që të besojnë tërësisht në udhërrëfimin amerikan të Rambouillet-it.