Prishtinë, 15 prill – Bashkimi Evropian po e sheh të udhës që institucionet e reja të Kosovës të kapin mundësinë që po ua ofron ajo me lehtësimin e dialogut me Serbinë për të arritur që të përmbyllin me sukses një marrëveshje për pajtim, porositi zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, Stano për Klankosova.tv ka thënë se prioritetet që ka caktuar kryeministri Albin Kurti janë shumë të rëndësishme për Kosovën, por kjo sa u përket punëve të brendshme, por dialogu me Beogradin është prioriteti më i rëndësishëm i jashtëm që Kosova ka përpara.
“Prioritetet e brendshme të Kurtit janë shumë të rëndësishme. Por, në të njëjtën kohë dialogu është prioriteti më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Kosovës dhe nuk duhet të shihet si i ndarë apo që s’përputhet me prioritetet tjera që i ka përmendur kryeministri”, deklaroi Stano.
Kurti në takimin e djeshëm virtuel me shefat e misioneve diplomatike të BE-së në Kosovë, në të cilën mori pjesë edhe zëvendësja e tij, Donika Gërvalla, kanë ripërsëritur prioritetet e Qeverisë siç janë drejtësia dhe punësimi, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe promovimi i investimeve.
Lidhur me dialogun me Beogradin, Gërvalla ka thënë se e mirëpret interesimin e BE-së për dialogun, por se me rëndësi është fokusi në luftimin e pandemisë, zhvillimin ekonomik dhe reformën në drejtësi.
Megjithatë, siç thekson Klan Kosova, Brukseli pret fokusim tjetër të autoriteteve të Kosovës në politikën e jashtme.
“BE-ja dhe shtetet anëtare presin që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim vazhdimin e takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë që kanë përpara tyre për të sjellë këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm”, ka thënë Stano.
Informacionet për datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, tha Stano, do të njoftohen në një kohë të përshtatshme.