Nëse nuk ndodh ndonjë kthesë e madhe ekonomike, politike dhe shoqërore në 10-15 vitet e ardhshme , atëherë mund të presim që fëmijët tanë apo mbesat dhe nipat tonë që tani gjenden në bankat e shkollave fillore të arrijnë standardin evropian dhe atë kur do të shkojnë në pension
Nga Fisnik PASHOLLI
Maqedonia e Veriut parashikohet që për 60 vite , të arrijë mirëqenien evropiane vlerëson Banka Botërore. Por me kusht që për 15 vite radhazi të ketë një rritje ekonomike prej 6 për qind, ndërsa me rritjen ekonomike prej 2 deri 3 për qind që kemi pasur si mesatare në 30 vitet e kaluara pritet që të arrijmë standardin evropian pas 60 vitesh.
E tani nëse shikojmë rezultate modeste të rritje ekonomike të vendit , që nga pavarësia e këndej ku në mesatare nuk kemi pasur as 3 për qind të rritjes ekonomike dhe nëse nuk ndodh ndonjë kthesë e madhe ekonomike, politike dhe shoqërore në 10-15 vitet e ardhshme , atëherë mund të presim që fëmijët tanë apo mbesat dhe nipat tanë që tani gjenden në bankat e shkollave fillore të arrijnë standardin evropian dhe atë kur do të shkojnë në pension.
Nuk mund të mohohet se Maqedonia e Veriut në procesin e pavarësisë bëri gabime në hapa ku për shembull në momentin kur republikat më të fuqishme të ish federatës jugosllave në fakt edhe ndërhynë në arkën federale për të bartur sasi më të mëdha të hollash në arkat e republikave të tyre, udhëheqësia e atëhershme në Maqedoni akoma hamendej të veprojë më me vendosmëri në drejtim të pavarësisë së shtetit. Apo nuk mund të anashkalohen as krizat e ndryshme që kanë përcjellë pavarësinë e shtetit nga vitet 90-të e këndej si bllokada greke, luftërat në rajonin e ish Jugosllavisë, konfliktin e 2001-it, luftën në Kosovë në vitin 1999, privatizimin jo aq fatlum të pronës shtetërore, apo edhe vonesat për shkaqe subjektive apo objektive të anëtarësimit në BE dhe NATO.
Mirëpo të gjitha këto procese që ngadalësuan zhvillimin ekonomik të shtetit janë pas nesh . Pas anëtarësimit të pritshëm në NATO për disa muaj, apo edhe hapjes së perspektivës evropiane të shtetit në muajin maj të vitit 2020, nuk mund të presim që me një shkop do të lulëzojë ekonomia dhe do të përmirësohet standardi jetësor i qytetarëve.
Nëse si ekonomi e vogël dhe e hapur vështirë se mund të ndikojmë në rrjedhat evropiane dhe botërore si politike ashtu edhe ekonomike, ku për shembull krizën botërore të para dhjetë viteve nëse përsëritet vetëm mund të zbusim me intervenimin e shtetit në konsum dhe infrastrukturë. Mirëpo akoma ka shumë punë për të bërë për reformat institucionale ku edhe sot e kësaj dite flasim dhe debatojmë për një gjyqësor të pavarur, për kompanitë në pronësi të shtetit me borxhe dhe mbi punësime, ku akoma nuk e kemi përfunduar rrugën Gostivar-Kërçovë-Strugë si autostradë, akoma rruga Strugë – Qafë Thanë nuk është modernizuar, akoma flasim për cilësinë e administratës e cila në periudhën 2011-2018 është rritur për 20 për qind , ndërsa tregon ulje të produktivitetit për 13 për qind në periudhën e kaluar shtatëvjeçare.
Se sa duhet të jemi optimistë apo pesimist që do të përmirësohet situata ekonomike në vend varet nga ngadalësimi i ikjes së trurit, nga qasja e lehtë , e lirë dhe e thjeshtë ndaj drejtësisë për biznesin dhe qytetarët e thjeshtë, nga lehtësimi i procedurave të ndryshme burokratike , digjitalizimi i shërbimeve ku do të harrojmë vërtetime e lëshuara me letër dhe do të përdorim vërtetime elektronike. Mbetet që edhe më tej të rritet transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve nga komunat, pushteti qendror, ministritë , agjencitë e ndryshme ku qytetarët e zakonshëm do të informohen dhe do të dinë më shumë se si harxhohen të hollat e tyre .
E tani për 15, 30 apo për 60 vite, koha do të tregojë se kur dhe si do ti afrohemi standardin të jetesës së shteteve të zhvilluara perëndimore. (koha.mk)