Partitë opozitare VMRO, ASH dhe Lëvizja BESA janë kritik ndaj shumicës parlamentare për mungesën e llogaridhënien e trupave të pavarur rregullator. Por LSDM vlerëson se pushteti paraprak kanë përgatitur enkas rregullativë ligjore që të mos mundet asnjë anëtar i zgjedhur i këtyre trupave të thirret në përgjegjësi
Fatos RUSHITI
Shkup, 25 prill – Mungesa kontrollit parlamentar mbi trupat e pavarur rregullator dhe mbi institucionet gjyqësore, siç janë Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, ishin ndër çështjet më problematike të raportit të Pribes., shkruan gazeta KOHA. Madje, opozita e atëhershme – LSDM, tani e etabluar në pushtet, kritikonte pa reshtur VMRO-në se ka partizuar Parlamentin, duke vënë theksin në rrolin e kontrollit të organeve që i zgjedhë vetë – Qeverisë dhe institucioneve të tjera të pavarura.
MUNGESA E SENSIT PËR DEBAT
Mirëpo si për ironi, aktualisht nuk po vërehet ndonjë debat i zjarrtë parlamentar lidhur me raportet vjetore të shumë trupave të pavarur, si: Drejtoria për Mbrojtje e të Dhënave Personale, Komisioni për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, Agjencia e Administratës, Servisi publik, e shumë të tjerë. I këtij mendimi është deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi.
“Shumë institucione të pavarura, jo vetëm gjyqësori, ka pasur kritika për keqpërdorime të mëdha të detyrës dhe buxhetit. Nuk po shoh se kjo shumicë parlamentarë do të nxjerr në pah ato keqpërdorime, me ç’rast do të kërkohet edhe llogari, por të paktën përgjegjësi politike si e për çfarë kanë punuar deri më tani. Siç u pa dje në komisionin për sistem politik nga udhëheqësi i saj tentohej të anashkalohej debati, tentohej të kalonin në heshtje ato raporte. Kjo nuk është mirë për demokracinë parlamentare dhe nuk i bënë nder shumicës në Parlament”, shprehet për KOHA, Syrija Rashidi. Sa i përket mungesës së transparencës dhe jo efikasitet të punës së Parlamentit flet deputeti i VMRO-së, Vllatko Gjorçev.
“Kjo shumicë lejon jashtë çdo logjike parlamentare që të thyhet çdo ditë rregullorja e punës, asaj i mungon sensi për debat për tema të mëdha, e ndryshe flisnin në rolin e opozitës. Nuk ka transparencë fare, nuk dihet për çka punohet në Parlament e në Qeveri. Po punohet për reforma a për kontroll të pushtetit të LSDM-së? Mos është kjo e dyta më shumë?”, pyet Gjorçev, i cili shton se partia e tij është e gatshme të merr përgjegjësi për keqpërdorime të mundshme në të kaluarën, ndonëse, sipas tij, LSDM nuk mundet të mohoj kontributet shumë vjeçare të VMRO sa i përket plotësimit të kushteve për anëtarësim në BE dhe në NATO.
ME KORRUPSIONIN MË SHUMË MERREN MEDIAT SE SA PARLAMENTI!
Parlamenti nuk ka ashpërsi të duhur të gjuhës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. I këtij mendimi është deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli.
“Më shumë merren mediat, portalet individët e pavarur në Facebook për raste të korrupsionit se sa ne në Parlament. Vijnë raportojnë kryetar komisionesh e drejtor të ndryshëm por realisht nuk vihet në pah mos puna, lëshimet apo keqpërdorimet emte eventuale e që opinioni di se janë të shumta. Nuk është puna vetëm këto dhjetë muaj sa janë në pushtet por me vite ndoshta dikush ka mare mëditje kundërligjore apo gjëra tjera e ne mbetemi vetëm ne konstatime se aty s’po bën këtu s’po bën. Parlamenti duhet më ashpër ti qaset luftës kundër korrupsionit dhe krimit”, thotë deputeti Fadil Zendeli.
Lidhur me pretendimet e ASH-së, VMRO-se dhe Lëvizjes BESA se Parlamenti nuk ka kontroll të mjaftueshëm ndaj institucioneve të pavarura, nga grupi parlamentar i LSDM-së thonë të kundërtën.
“Parlamenti fuqishëm, në tërësi dhe në mënyrë cilësore e kryen funksionin e kontrollorit parlamentar, i cili dhe është qëllim bazë i grupit parlamentar të LSDM-së. Për atë qëllim edhe Komisioni për sistem politik në bashkëpunim me OSBE përgatiti forma të standardizuara të Raportit vjetor, që duhet deri te Parlamentit të dorëzojnë trupat rregullator, agjencitë, këshillat… Përmes këtyre Raporteve të standardizuara, institucionet do të kenë obligim që në mënyrë përkatëse ti prezantojnë të gjitha të dhënat për punën e tyre të vitit paraprak. Nga ana tjetër këto Raporte do të jenë më lehtë të lexueshme dhe të kapshme për analizë të deputetëve, me çka do të mundësohet analizë e detajuar për punë të institucionit përkatës”, thonë nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.
Ky grup është mjaft kritik ndaj pushtetit të kaluar për arsye se enkas ka përgatitur rregullativë ligjore për të pamundësuar thirrjen në përgjegjësi të asnjë anëtar të zgjedhur të këtyre trupave, në rast se vërtetohet se në mënyrë joligjore ose në mënyrë jo përkatëse e kryen punën.
“Me qëllim kanë sjellë ligje të tilla që të mundë ti mbrojnë figurat e tyre partiake. Rezultat i asaj politike është mungesa e djeshme e përfaqësuesve të Komisionit shtetëror për vendosje të shkallës së dytë në fushën e mbikëqyrjes së inspeksionit dhe procedurës kundërvajtëse dhe të Komisionit për mbrojtje të së drejtës për qasje të lirë deri te informatat e karakterit publik i Komisionit për sistem politik, në të cilin duhej ti argumentojnë raportet vjetore të këtyre trupave”, thonë për KOHA nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.
Që të evitohen në të ardhmen situatat e tilla, theksojnë deputetët e LSDM-së, shumica parlamentare në bashkëpunim konstruktiv me opozitën, përmes regullativës ligjore të ndryshuar, do të përpiqet të gjejë mekanizëma kualitativ të kontrollit mbi trupat që janë zgjedhur nga ky Parlament, krejt kjo që në mënyrë kualitative ta kryej funksionin a tij. (koha.mk)