Shkup, 14 dhjetor – Në raportin e fundit për përparimin e Maqedonisë thuhet se implementimi i Direktivës kornizë për mbeturinat ende është në fazat e hershme dhe se nevojiten stimulues ekonomik që të përmirësohet gjendja me menaxhimin dhe mbledhjen e mbeturinave, theksoi të mërkurën zëvendësambasadori i BE-së në Shkup, Mauro Diveroli, në fillim të Tuining projektit për përforcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e Direktivës kornizë për mbeturinat dhe direktivave për rrjedha të veçanta të mbeturinave, të financuar nga BE-ja. “Legjislativi evropian për mjedis jetësor është një nga më kompleksët. Menaxhimi me mbeturinat, transportimi i tyre dhe zbatimi kërkon mjete të mëdha financiare. Kjo ka të bëjë në pjesën e menaxhimit me mbeturinat sepse krijimi i mbeturinave rritet, ndërsa me atë rritet edhe ndotja e mjedisit jetësor”, theksoi Diveroli, shkruan gazeta KOHA. Sipas tij, deri tani një pjesë është kryer tërësisht, por, siç tha, na pret shumë punë për zbatimin e këtij projekti. Porositi se BE-ja jep dhe do të vazhdojë ta japë përkrahjen e saj. Zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Pol Eduards tha se projekti është i lidhur me përforcimin e kapaciteteve administrative dhe është shumë i rëndësishëm për Maqedoninë. “Kapacitetet administrative nuk janë të mjaftueshme që të ballafaqohemi me mbeturinat të cilat hidhen në rrugë dhe i ndot peisazhet e bukura natyrore në Maqedoni. Maqedonia është vend i bukur, e kam shëtitur dhe kam parë parqe të bukura, por gjithkund ku kam qenë kishte shumë mbeturina përreth të cilat ma prishën përshtypjen për bukurinë e vendit tuaj”, tha Eduards dhe u bëri thirrje të gjithë politikanëve, si dhe qeverisë së re të japin përpjekje që të mos injorohet ky problem me mbeturinat. Daniel Eftimov nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor porositi se bërthama bazë e aktiviteteve të zbatimit të politikave do të kontribuojë drejt përmirësimit të standardeve në menaxhimin me mbeturinat në Maqedoni. Do të kontribuojë edhe në zgjidhjen e problemeve me pezullimin joadekuat ekologjik të mbeturinave në komuna dhe deponitë tjera të cilat duhet teknikisht të bëhen me standardet e konfirmuara me Ligj”, theksoi Eftimov. Projektin do ta implementojnë ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Spanja, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. (koha.mk)