Agjencia Standard & Poor’s njoftoi se e konfirmon vlerësimin e rejtingut kreditor BB- për Maqedoninë e Veriut, me një pasqyrë të qëndrueshme. Sipas raportit, zgjidhja e kontestit për emrin është një hap vendimtar pozitiv, duke hapur dyert për anëtarësimin në NATO dhe duke filluar bisedimet e anëtarësimit në BE në vitin 2019, gjë që mund të përshpejtojë reformat strukturore.
Sipas agjencisë kreditore, kthimi i stabilitetit politik ishte i rëndësishëm për përshpejtimin e dinamikës së rritjes ekonomike. Pritet që rritja në tre vitet e ardhshme të jetë mesatarisht rreth tre për qind, e nxitur nga konsumi i brendshëm dhe eksportet, si dhe zhvillimet më të mira në investime. Përveç kësaj, investimet private pritet të rriten si rezultat i stabilitetit politik të përmirësuar, si dhe përshpejtimit të investimeve kapitale publike.
Rreziqet për rritjen ekonomike vlerësohen të balancuara, me një potencial pozitiv për zbatimin më të shpejtë të reformave që do të përmirësonin klimën e biznesit dhe do të rezultonin në investime më të larta të huaja direkte. Nga ana tjetër, rreziqet negative janë të një natyre të jashtme, që rrjedhin nga ngadalësimi i rritjes në Evropë, si dhe nga dogana amerikane për importin e makinave.
“Pas realizimit të një deficiti më të ulët se sa pritej në vitin 2018, pritet që deficiti i buxhetit të përgjithshëm të qeverisë në 2019 të jetë në linjë me parashikimin e qeverisë prej tre për qind të BPV-së dhe pastaj do të bjerë mesatarisht në rreth 2.5 për qind të BPV-së në periudhën afatmesme.
Raporti e vlerëson si një reformë pozitive reformën e pensioneve dhe i vlerëson edhe reformat në menaxhimin e financave publike, me një fokus të veçantë për transparencën, buxhetimin dhe monitorimin. Standard and Poor’s e vlerëson si mesatar borxhin publik të Maqedonisë së Veriut në një kontekst global. Pas një periudhe të gjatë rritjeje në të kaluarën, vlerësohet se borxhi gradualisht do të stabilizohet dhe do të përbëjë 48.7 për qind të BPV-së në vitet 2021-2022 “, njoftoi Ministria e Financave.
Standard & Poor’s citon se vlerësimet mund të përmirësohen nëse zbatimi në kohë i reformave përforcon strukturën institucionale dhe përmirëson perspektivat ekonomike. Në të kundërt, në përkeqësimin e vlerësimit të kredisë mund të ndikohjë rikthimi i tensioneve politike ose ngadalësimi i ritmit të reformave, të cilat do të kishin një ndikim negativ në rritjen dhe investimet e huaja, si dhe në rast të mosdisiplinës fiskale ose aktiviteteve jashtëbuxhetare që do të vënë në dyshim qëndrueshmërinë e borxhit publik.(koha.mk)