Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 maj – Maqedonia është renditur si shteti i dhjetë më i lirë në listën e përgatitur nga shtëpia konsulente “GoBankingRates”, njofton magazina amerikane Tajm. Në listë janë renditur gjithsej 112 shtete të botës, duke i krahasuar në raport me harxhimet e jetesës në Nju Jork, shkruan gazeta KOHA. Njëherazi, shtetet e rajonit renditen ndër 50 më të lirët sipas kostos së jetesës. Renditja është realizuar në bazë të indeksit lokal të fuqisë blerëse, lartësisë së marrjes me qira të patundshmërive, çmimeve të artikujve ushqimorë, transportit, çmimeve të komunaleve si dhe indeksit të çmimeve me pakicë, të cilat janë krahasuar me standardin e jetesës dhe çmimet në Nju Jork. Shteti më i lirë në botë sipas kësaj analize është Afrika e Jugut, ndërsa shteti më i shtrenjtë në botë për jetesë janë ishujt e Bermudeve, në vendin e 112-të. Në shtetin më të lirë për jetesë, Afrikën e Jugut, sipas kësaj analize, marrja me qira e banesës është më e lirë për 87.5 për qind, ushqimi është më i lirë për 71 për qind, ndërsa shërbimet komunale janë më të lira për 65.8 për qind në raport me Nju Jorkun. Nga ana tjetër, në Maqedoni qiratë janë për 94 për qind më të lira, ushqimi për 73 për qind më i lirë dhe shërbimet janë për afër 70 për qind më të lira se në Nju Jork. Ekonomistët thonë se është e vërtetë se çmimet tek ne janë më të lira se shumica e shteteve më të zhvilluara ekonomike, por njëherazi kontestojnë metodologjinë e matjes së fuqisë blerëse në Maqedoni në raport me shtetet e tjera në botë, për shkak se tregues kryesor i mirëqenies është fuqia blerëse për kokë banori, që tek ne është vetëm 40 për qind e mesatares evropiane.
“Të dhënat statistikore për Maqedoninë lidhur me koston e jetesës deri diku edhe mund të jenë të vërteta, por megjithatë shtrohet çështja se sa në të vërtetë mund të blejnë të mira materiale dhe shërbime, kur dihet se rroga mesatare prej afër 400 euro mbetet ëndërr e paarritshme për gjysmën e të punësuarve në Maqedoni, ose kur dihet se afër 250 mijë të punësuar në bujqësi apo fabrika paguhen afër 16 mijë denarë në muaj, ndërsa mesataren e shtetit e rrisin pagat në administratë. Me fjalë të tjera, Maqedonia renditen ndër shtetet që njëherazi ka edhe standardin më të ulët në Evropë, por edhe harxhimet më të ulëta për jetesë”, vlerëson profesori universitar Neritan Turkeshi. Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë jetojnë sot për nesër, duke hyrë në borxh në kredi apo kartela për të kapërcyer muajin , duke kursyer çdo kund ku mundet, por edhe duke shkurtuar për çdo ditë nga harxhimet e ndryshme. “Të gjithë jemi dëshmitarë se në vitet e fundit po përjetojnë bum shitjesh. Disa zinxhirë të dyqaneve me pakicë që janë përhapur nëpër mëhallat tona dhe që ofrojnë artikujt kryesor të jetesës për çmime shumë më të lira se supermarketet e mëdha. Gjithashtu, gjatë krahasimit të standardit jetësor ndërmjet shteteve të ndryshme, dhe sidomos me shtetet e Bashkimit Evropian ku ne dëshirojmë të anëtarësohemi, duhet analizuar se sa realisht një banor i një shteti mund të blejë apo të paguajë gjëra të ndryshme me të ardhurat që i fiton për çdo muaj me punën e tij. Një krahasim i tillë tregon se fuqia blerëse e qytetarit të Maqedonisë është 40 për qind e mesatares evropiane ”, shton më tej Turkeshi. Sipas tij, të dhënat e Eurostatit, (zyrës evropiane të statistikave), tregojnë se vetëm Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina me 37 për qind të mesatares evropiane lidhur me fuqinë blerëse për kokë banori, renditen më dobët se Maqedonia. Bile edhe Serbia me 45 për qind, Mali Zi me 52 për qind dhe Bullgaria me 51 për qind të fuqisë mesatare blerëse, qëndrojnë më mirë se ne sipas nivelit personal të konsumit. Në ndërkohë, renditja e shtëpisë konsulente “GoBankingRates”, tregon se në vendin e tretë është Kosova si shteti më i lirë për jetesë në botë, Maqedonia është në vendin e dhjetë, Bosnje e Hercegovina në vendin e 11-të, Serbia në vendin e 19-të, Bullgaria në vendin e 20-të, Mali i Zi në vendin e 26-të, Shqipëria në vendin e 27-të, Turqia në vendin e 31-të, Gjermania në vendin e 35-të, Sllovenia në vendin e 36-të, Kroacia në vendin e 47-të, SHBA-të në vendin e 83-të, Belgjika në vendin e 94-të dhe Zvicra në vendin e 109-të.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara