Bujar KURTAJ
Shkup, 10 mars – Skuadra e Shkëndijës me intensitet të madh po përgatitet për sfidën e radhës me Pobedën në Prilep në kuadër të xhiros së 22-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë. Pas takimit me Shkupin, kuqezinjtë të hënën punuan në rikuperim, ndërsa ditën e martë stafi teknik la lojtarët të lirë. Nga e mërkura ekipi është rikthyer në stërvitje, duke realizuar dy seanca. Para dite futbollistët punuan në palestër për ngritje të peshave, ndërsa pas dite në teren u punua në planin tekniko taktik.
Trajneri Brdariç me stafin e tij janë duke përgatitur lojë për ndeshjen e radhës të dielën në Tetovë me Pobedën e Prilepit, ku skuadra do të ketë disa ndryshime të detyrueshme. Për shkak të pesë kartonëve të verdhë, do të mungojë mbrojtësi Ardian Cuculi, ndërsa pritet të shihet intensiteti i rikuperimit të Jure Çollak, që doli i lënduar nga sfida me Shkupin. Armend Alimi është rikthyer dhe punon maksimalisht me skuadrën, me stafin teknik dhe atë mjekësorë që do të vendosin para ndeshjes në lidhje me aktivizimin e lojtarëve që vijnë nga dëmtimet. Ditët në vijim ekipi vazhdon përgatitjet me nga një seancë stërvitore në ditë.
“Ndjehem shumë më mirë dhe nga dita në ditë gjendja po përmirësohet. Domethënë bëhet fjalë për nyjën e këmbës së majtë, ku pësova edhe zgjatje të lehtë të ligamentit. Ka mundur të shkojë edhe më keq duke llogaritur si u duk momentin që u lëndova. Tani më ushtroj maksimalisht dhe stafi teknik bashkë me ekipin mjekësor do të vendosin për aktivizimin tim eventual kundër Pobedës”, tha për KOHA, Alimi.
Sa i përket përballjes me Pobedën, kumanovari thotë se ai dhe shokët e tij do të kërkojnë pikë maksimale. “Të dielën pa marrë parasysh nëse luaj apo jo ekipi do të kërkojë pikë maksimale. Gabimi jonë javën e shkuar, por edhe fitorja e Pobedës është paralajmërim se çdo ekip meriton respekt maksimal dhe ambiciet arrihen vetëm me impenjim maksimal gjatë 90-të minutave në teren”, përfundoi Armend Alimi.