Mënyra se si komunikojmë me fëmijët apo adoleshentët është shumë e rëndësishme, sepse shpesh mësuesi bëhet model për nxënësin, të shumtë janë edhe nxënësit që pëlqejnë autoritetin dhe profesionin e mësuesit duke parë si model mësuesin e tyre dhe një imazh i tillë do të ndikonte tek ata
Remzije BILALLI
Shkup, 10 shtator – “Profesoresha është larguar nga shkolla në Kumanovë, për shkak publikimit të fotografive dhe videove eksplicite. Kërkoni në google, mësuesja e Kumanovës në sajtet për të rritur”. Ishte ky mesazhi i cili tronditi jo vetëm prindërit dhe nxënësit e paraleles 4-6 në shkollën fillore “Lazo Angelovski” të lagjes Aerodrom të Shkupit, por pati jehonë edhe më gjerë, shkruan gazeta KOHA. Prindërit e nxënësve të kësaj shkolle të merakosur u drejtuan tek drejtori i shkollës nga ku nuk morën asnjë përgjigje e më pas caktuan takim edhe me kryetarin e Komunës Aerodrom, Zlatko Marin ku në vend të tij arritën ta takojnë vetëm sekretaren e tij.
Mësuesja punonte më shume se një vit e gjysmë në këtë shkollë, ndërsa ishte vetëm shkolla “Koço Racin’ në Kumanovë cila pranoi aferën për mësuesen e cila në profilin e saj publikonte fotografi eksplicite të cilat në vitin 2015 filluan të përhapen duke u shoqërua me video për të rritur. Që atëherë prindërit reaguan për heqjen e mësueses nga puna, pas kësaj ngjarjeje mësuesja dha dorëheqje vet.
Psikologët sa i përket kësaj çështje vlerësojnë se duhet të ketë një ekip multidisiplinar me qëllim që të rishikohen të dhënat e mësimdhënësve sepse është pikërisht shkolla ku nxënësit kalojmë pjesën më të madhe dhe që luan rol vendimtar në formimin e personalitetit të nxënësve. Fotografit e tilla eksplicite dhe jo adekuate për fëmijë do të ndikojnë direkt dhe negativisht tek ata duke marrë shëmbëlltyre të keqe. Kryetarja e Qendrës për Shërbime psikologjike, defektologjike dhe logopedieke ‘Savanta”, Hatixhe Sefa theksoi se mënyra se si komunikojmë me fëmijët apo adoleshentët është shumë e rëndësishme sepse shpesh mësuesi bëhet model për nxënësin, të shumtë janë edhe nxënësit që pëlqejnë autoritetin dhe profesionin e mësuesit duke parë si model mësuesin e tyre dhe një imazh i tillë do të ndikonte tek ata.
“Ne komunikojmë me nxënësit nëpërmjet fjalëve, nëpërmjet gjuhës, lëvizjeve, vështrimeve, paraqitjes sonë etj. Çdo veprim i mësuesit ngjall një emocion të caktuar dhe një mësues i mirë edukon nxënësit e tij të ju kushtoj rëndësi emocioneve të tij, ruan ndjenjat e nxënësit dhe i kushton rëndësi të veçantë formimit të personalitetit të nxënësit. Në rast se veprimet e tyre ndikojnë negativisht tek nxënësit ata duhet të mbajnë përgjegjësi dhe për këtë duhet të ketë rregullore sa i përket sjelljes së mësuesve edhe në publik sepse nxënësit na shohin kudo. Prandaj sjellja e mësimdhënësit brenda apo jashtë objektit të shkollës për nxënësin është një faktor i rëndësishëm qoftë nga aspekti pozitiv apo negativ”, tha Sefa për gazetën KOHA.
Psikologja Sefa gjithashtu shtoi se një gjë e tillë nuk është e dëshiruar as nga ana e prindërve dhe në të shumtën e rasteve janë vetë prindërit të cilët janë prononcuar për pakënaqësitë që i kanë pasur ndaj ndonjë mësimdhënësi. Ndërsa edhe në shumicën e rasteve janë prindërit që interesohen ne kualifikimin e mësuesve për fëmijët e tyre.
“Sigurisht çdo prind mendon më të mirën për fëmijën e tij dhe kualifikimi i një mësimdhënësi luan rol të veçantë edhe tek ata. Në përgjithësi mësimdhënësit janë të denjë, të profesionalizuar por edhe të kujdesshëm në të gjitha fushat e veprimit të tyre dhe janë të dashur për nxënësit dhe prindërit me disa përjashtime shumë të rralla. Ndërsa unë duke u mbështetur në aspektin psikologji propozoj të merren masa preventive për të përpiluar një rregullore për sjelljen e mësimdhënësit dhe nëse ajo shkelet atëherë të merren masa disiplinimi për të njëjtin”, shtoi Sefa. Gazeta Koha kontaktoi MASH për të marrë qëndrim e tyre sa i përket këtij skandali se sa institucionet kujdesen për kualifikimin e stafit mësimor dhe cilat janë masat të cilat do i marrin më tutje, mirëpo nga MASH nuk dhanë asnjë përgjigje sa i përket kësaj çështje. (koha.mk)