Shkup, 29 nëntor – Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu në profilin e tij zyrtar në “Facebook” ka njoftuar dashamirët e FC Shkupi se projekti për ndërtimin e tribunës së re të stadiumit të FC Shkupi në Çair, i cili është përpiluar në partneritet në mes Komunës së Çairit dhe Federatës Futbollistike të Maqedonisë, i njëjti është miratuar edhe nga ana e Federatës së Futbollit Evropian – UEFA, bën të ditur gazeta KOHA.
“Me kënaqësinë më të madhe njoftoj qytetarët e Çairit se projekti për ndërtimin e tribunës së re të premtuar të stadiumit të K.F. Shkupi i përpiluar në partneritet në mes Komunës së Çairit dhe Federatës së Futbollit të Maqedonisë është miratuar nga ana e Federatës së Futbollit Evropian – UEFA. Shprehim falënderimin tonë ndaj Kryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë z. Muamed Sejdini me të cilin bashkërisht dorëzuam aplikimin në UEFA. Drejt realizimit të premtimeve të dhëna”, shkroi në “Facebook”, Ganiu, përcjell gazeta KOHA.