Mali i Zi paraqet një shtet mjaft stabil në rajon dhe një aleat të Turqisë, deklaroi sot në Podgorice, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në këtë shtet ballkanik, raporton Anadolu Agency (AA). Çavusoglu takoi homologun e tij Srgjan Darmanoviç me të cilin bashkë “konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve”. Çavusoglu tha se Mali i Zi dhe Turqia janë vende mike. “Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera politike, ndërsa marrëdhëniet ekonomike nga dita në ditë janë në rritje. Mali i Zi së shpejti do të bëhet vend anëtar i plotë i NATO-s, dhe gjatë këtij procesi, Turqia ka shprehur mbështetjen e sinqertë për Malin e Zi, të cilën do ta bëjë gjatë gjithë kohës së anëtarësimit”, tha Çavusoglu. Shefi i diplomacisë turke bëri të ditur se gjatë këtij viti, Malin e Zi do ta vizitojë edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. “Kompanitë tona shfaqin interesim për degët ekonomike në Mal të Zi. Këmbimi tregtar mes Turqisë dhe Malit të Zi është rreth 75 milionë euro. Mendoj se kjo nuk mjafton dhe se duhet të risim eksportin, por të risim edhe prodhimtarinë tonë”, tha Çavushogllu, sipas të cilit edhe marrëdhëniet kulturore janë në nivel të mirë meqë në Podgoricë kanë institutin “Yunus Emre“, ndërkohë që në Turqi aktualisht ndjekin procesin arsimor rreth 300 studentë malazezë. I pyetur për stabilitetin politik në Ballkan, Çavusoglu tha se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor është e rëndësishme, jo vetëm për rajonin, por edhe për kontinentin evropian si dhe për Turqinë. “Secili duhet të mbështesë stabilitetin e rajonit. Vitin e kaluar edhe Mali i Zi u përball me probleme, lidhur me një tentativë për grusht shteti. Turqia, e cila dhe vetë ka përjetuar një situatë të tillë e kupton mirë situatën. Nga këtu është i rëndësishëm anëtarësimi i Malit të Zi në NATO. Çdo gjë që ndodh në Ballkanin Perëndimor ndikon në Evropë”, tha Çavusoglu. Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviç, tha se vizita e ministrit Çavusoglu është e rëndësishme sepse paraqet një hap drejt intensifikimit të dialogut politik mes Malit të Zi dhe Turqisë. Në kuadër të vizitës së tij në Mal të Zi, Çavusogllu do të takoj presidentin dhe kreun e Parlamentit, Filip Vujanoviç dhe Ivan Brajoviç.