Portieri i Chelseat, Kepa Arrizabalaga, ka këmbëngulur se refuzimi i tij për t’u zëvendësuar në finalen e Carabao Cup kundër Manchester Cityt nuk ishte mungesë respekti për trajnerin Maurizio Sarri. Sarri tentoi ta zëvendësojë Kepan me portierin rezervë Willy Caballero para se ndeshja të shkonte në gjuajtjen e penalltive, sepse përfaqësuesi spanjoll kishte probleme me ngërç në momentet e fundit të humbjes së Chelseat në finale, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA
Megjithatë Kepa refuzoi ta lërë fushën – duke shkaktuar vonesë të gjatë të ndeshjes dhe si pasojë e tërboi trajnerin Sarri, i cili u largua me vrap drejt tunelit por u rikthye menjëherë në stol. Kepa e vazhdoi lojën, por qe në gjendje ta mbrojë vetëm një penallti gjatë ekzekutimit të tyre, dhe City fitoi 4:3 duke e mbrojtur trofeun e Kupës së Ligës
“Bisedova me trajnerin. Mendoj se ishte një keqkuptim. E kuptoj se në televizion, në rrjetet sociale po flasim për këtë, por jam këtu për ta shpjeguar atë; për të thënë se nuk ishte qëllimi im të dal kundër trajnerit”, tha Kepa.
“Në asnjë moment nuk kam synuar të mos i bindem trajnerit, apo diçka të tillë. ishte thjesht keqkuptim, sepse doktorët me kontrolluan dy herë dhe ai mendoi se unë nuk isha në gjendje të vazhdojë”, shtoi Kepa.
“Pati dy apo tre minuta huti derisa stafi mjekësor shkoi në stol dhe i sqaruan atij gjithçka”, theksoi ai.