(Romani “Një sagë e vogël” i Besnik Mustafajt, një projeksion orvellian i grabitjes së spontanitetit të jetës njerëzore)
Nga Emin AZEMI
Romani “Një sagë e vogël” i Besnik Mustafajt sjell një model realiteti që përthehet në receptivitetin e vëzhguesit të sotëm si një alegori për gulagun shqiptar. Distanca estetike për një rrëfim që tematizon mungesën e lirisë dhe teprinë e depersonalizimit të njeriut, modelohet figurativisht përmes disa linjave narrative, të cilat kanë një hapësirë të përbashkët të eksplikimit psikologjik e social. (Atmosfera orvelina në ambientet e burgut dhe nata e kaluar e Bardhylit dhe Lindës në dhomën speciale të burgut)
Herojtë e kësaj proze ndërtohen sipas një mekanizmi që autori e përdor në formë të teknikës së montazhit poli-semantik të ideve paralele për metafizikën e frikës (“Vetëbesimi i njeriut të lirë mbështete te guximi. Ai i të burgosurit te frika“), dualizmin e shpirtit dhe materies , si dhe të hapësirave të munguara të dinjiteteve personale brenda trashësive që sjell muri i ndarjes në mes të atyre që jetonin në burgun e brendshëm dhe atyre që jetonin në lirinë burgosur jashtë.
Autori na ofron një shikim tredimensional të kuptimit të asaj që ai e ka konceptuar si burg, përmes tre tipave të heronjve që përjetojnë burgun: si i burgosur (Oso Huta , Omer Huta, Bardhyl Huta), si gardian burgu (Hyqmet Hidi) dhe si kronist letrar (Andrea Boteci). Është një refleksion mjaft i zhvilluar estetik i autorit për të identifikuar kodin e bashkëjetesës midis mitit për jetën e shkuar që kërkohet të harrohet dhe të panjohurës që sjell jeta jashtë burgut. Selvia, mamaja e Lindës, kot ishte munduar të gjejë një qytet ku nuk kishte burg për ti siguruar së bijës një jetë të qetë bashkëshortore. Edhe pas një bredhjeje të lodhshme, ato të dyja, Linda dhe mamaja e saj, nuk kishin mundur ti ikin projeksionit fatal të të jetuarit brenda kallëpeve që ti impononte uniforma e rëndë e kohës. (“Dënimi im tregoi sa të kota kishin qenë përpjekjet e stërmundimshme edhe në familjen time edhe në atë të Lindës për të ndërtuar për ne , fëmijët e tyre, një jetë pa lidhje me të kaluarën“). Përkatësia femërore e këtij kërkimi prej Sizifi të një qyteti pa burg, kufizohej me lëkurën e vrazhdë të realitetit, ku nuk mbetej jashtë ajo që më vonë do të përkufizohej si fat, por edhe si fatalitet.
Ideja e autorit për të plazmuar fatalitetin njerëzor në një shoqëri ku ishte pushkatuar egoja para se ajo të shpërthente në shtratin normal të procesit social, nxjerr në pah heroin e mundur (Bardhyl Huta), por edhe idealizon mundësinë e rikrijimit të epopesë së një kohe që kishte prodhuar kujtesë (përmes Andrea Bodecit) për gjithë ata që në unazat e përflakura të burgologjisë kishin injektuar një realitet të dyzuar për heronjtë e burgjeve – për ata që kishin vuajtur brenda tyre si Oso Huta me pasardhësit e tij dhe për ata që ishin munduar ta ngrenë në njëfarë morali sjelljen e të qenit gardian burgu (Hymet Hidi).
Shpresa dhe mjerimi ishin dy kuptime të kundërta që e karakterizojnë botën shpirtërore të heronjve të kësaj proze. (“Dihet se nuk ka gjë më të shtrenjtë se shpresa kur je në mjerim. Frika e humbjes së saj nuk është frikë e rëndomtë. Ajo shërben për të fshehur vullnetin e jashtëzakonshëm të njeriut për të mos u dorëzuar. Ky është guxim i vërtetë”(fq. 91). Përpjekja për të paraqitur shpresën më të plotë në trajtat e ekzaminimit psikologjik të një jete që po luftonte ta largonte burgun nga inventari i kujtimeve, del të jetë një prej ideve që autori e zhvillon brenda koherencës semantike dhe filozofisë së gjallimit. (koha.mk)