Sindikata e pavarur e policisë (SPP) sot në konferencë për shtyp informoi se kohë më parë një grup i nëpunësve policorë kanë marrë uniforma. Sipas tyre, bëhet fjalë për xhup pranveror me të cilin policët duhet të punojnë në kushte dimërore.
“Vallë ky xhup që peshon 300 gram është i mjaftueshëm për të kryer punë siç duhet nëpunësit policorë? Vallë me këtë xhup pranveror, nëpunësit mund të kryejnë detyra zyrtare jashtë në këto temperatura të ftohta ose deri në minus 10 gradë dhe të durojnë? Këto kushte janë të padurueshme për nëpunësit policorë në terren pa xhupa dimërorë. Kërkojmë sa më shpejtë të furnizohen xhupa adekuate dimërore dhe t’u ndahen kolegëve”, deklaroi zëdhënësi i Sindikatës së pavarur të policisë Dejan Sazdov para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Nëse Ministria dikasteriale nuk iu ndan xhupa dimërorë nëpunësve policorë, atëherë, siç thonë, ata nuk kanë për obligim të mbajnë uniformë sepse ajo është jashtë të gjitha standardeve dhe nuk është në pajtim me rregullat e Ministrisë.
“Legjitimitetin na e japin rreth tre mijë anëtarë të cilët çdo ditë trokasin në derën tonë me një kërkesë – grevë deri në realizimin e të drejtave tona. Kërkojmë që Ministria të na përfshijë në procesin e negociimit për marrëveshje të re kolektive sepse asnjëherë më nuk do të lejojmë të nënshkruhet marrëveshje e dëmshme kolektive për pjesëtarët e policisë”, tha Sazdov