Bujar KURTAJ
Shkup 2 gusht – Përparimtare, luftarake dhe këmbëngulëse, kështu është Semia Islami “Mia”, arsimtarja e edukatës fizike dhe themeluesja e KH ‘Çair’ për femra. Që nga fëmijëria ka shprehur dashurinë e madhe për sportin, duke u marrë me atletik e më pas edhe me hendboll, mirëpo rrethanat e asaj kohe kanë bërë që ajo të ndërpresë karrierën, por jo edhe tërheqjen nga sporti. Ka kaluar nëpër shumë sfida, por asnjëherë nuk është dorëzuar dhe sot e kësaj dite vazhdon punën si arsimtare, por edhe te klubi hendbollistik i vajzave. Gjitha këto, por edhe sfidat tjera nëpër të cilat ka kaluar “Mia”, i tregon në intervistën për gazetën KOHA
KOHA: Kush është Semia Islami dhe si lindi ideja që të merreni me sportin e atletikës?
ISLAMI: Jam Semia Islami, ndërsa të gjithë më njohin si ‘Mia’. Jam e lindur në Shkup në lagjen Serovë, ku edhe rininë time e kam kaluar këtu. Inspirimi për t’u marr me sport ka qenë nga vëllai im. Ekrem Islami. Si e re në lojërat fëmijërore sfidoja djemtë e lagjes në gara, ndërsa në shkollën fillore ‘Cvetan Dimov’ më ndihmoi shumë edhe arsimtari i edukatës fizike, i cili më inkuadroi në garat shkollore nëpër krose të ndryshme dhe garat e atletikës. Ai, në fakt ka qenë i pari që ka zbuluar talentin që kisha për këtë sport dhe më pas, siç thash, vëllai im Ekrem Islami më dha mbështetje të parezervë. Kur jemi të vëllai, më duhet të them se edhe ai është marrë me gjimnastikë dhe ka qenë ish-mundës, por që lëndimi e detyroi atë para kohe të ndërpret karrierën sportive. Pas kësaj, ai vëmendjen e ktheu tek unë duke më udhëzuar fillimisht të kryej shkollim e mesme të Edukatës Fizike në Shkup dhe paralelisht më regjistroi edhe në Klubin e Atletikës ‘Vardar’, ku trajneri im i parë ka qenë Buçkovi.
KOHA: Përmende se ke qenë anëtare e KA ‘Vardar’. A mund të na tregosh sukseset që i ke arritur në këtë klub?
ISLAMI: Te klubi i atletikës ‘Vardar’ qëndrova vetëm një vit e gjysmë. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër , kam marr pjesë nëpër gara të ndryshme shtetërore, duke arritur rezultate mesatare. Shembull, në 800 metra isha ndër atletet më të mira, ku aso kohe garoni tetë vajza, me një fjalë rezultati më i mirë ka qenë pozita e tretë.
KOHA: Pas një viti e gjysmë u largove jo vetëm nga KA ‘Vardar’, por edhe nga sporti në përgjithësi. A mund të na i tregosh arsyet për tërheqjen tënde nga sporti?
ISLAMI: Largimi nga atletika dhe sporti nuk ka qenë me dëshirën time, por rrethi ku jetoja më ‘dënoi’ të merrem profesionalisht me sport. Kur them rrethi, kjo nënkupton fqinjët që i kisha në lagjen ku jetoja, pasi nga familja kam pasur përkrahje të madhe. Shembull, paradite duhej të shkoj në shkollë, ndërsa stërvitjet ishin pas orës 17, dhe ata nuk mund ta kuptonin se si është e mundur që një femër shqiptare të merret me sport dhe gjitha ato gjëra nuk munda t’i duroj as unë, por edhe as familja, kështu që vendosa të tërhiqem.
KOHA: Pasi u tërhoqe nga sporti, iu përkushtove studimeve?
ISLAMI: Siç thash edhe më herët, kam kryer shkollën e mesme të edukatës fizike në ‘Metodija Micevski Brico’ në Shkup, edhe atë në gjuhën maqedonase, pasi atëherë nuk kishte paralele në gjuhën shqipe dhe pas shkollës se mesme në vitin 1979/80 gjithashtu në Shkup u regjistrova në fakultetin e Edukatës fizike. Kemi qenë vetëm dy femra, unë dhe Nixhar Nagavci ‘Xhixhi’, profesoresha e edukatës fizike në gjimnazin ‘Zef Lush Marku’. Duke marrë parasysh se edhe në shkollë fillore kam mësuar në gjuhën maqedonase, nuk e kam pasur vështirë të kryej edhe fakultetin. Problem ka qenë të kyçemi në ndonjë sport.
KOHA: Pasi përfundove studimet, ndodhi e papritura dhe iu riktheve sportit, por jo sportit të atletikës, po atij të hendbollit. A mund të na tregosh se çfarë ndodhi?
ISLAMI: Siç e dini, atletika është sport individual, ndërsa hendbolli ekipor. Më duhet të tregoj se derisa isha në shkollën e mesme, kam marrë pjesë në sportin e hendbollit, mirëpo nuk pata rastin të regjistrohem edhe për ndonjë klub. Nga përvoja që kisha dhe pasojave nga e kaluara kur merresha me atletik, nuk guxova të filloj prapë të jem aktive. E gjithë që doja atëherë ishe t’i përfundoj studimet dhe të punësohem diku. Por, prapë po përsëris se si femër shqiptare kam vuajtur shumë duke marr parasysh pretendimet që i kam pasur si e re.
KOHA: Bashkë me trajnerin e mirënjohur dhe seleksionuesin aktual të Kombëtares së Shqipërisë, Muhamed Ismaili dhe Ajdin Ramadanin, hapët edhe shkollën e hendbollit për femra dhe meshkuj të cilin më pas e shndërruat në klub duka ia vënë emrin KH ‘Rinia’. A mund të na tregosh rrugëtimin e gjithë kësaj?
ISLAMI: Me Muhamedin nuk jemi njohur, por ai personalisht është njohur me vëllain tim, Ekremin, pasi harrova të përmend se vëllai ka qenë profesor i fizikës dhe matematikës, ndërsa pikërisht Muhamedi ka qenë nxënës i tij. Nëpërmjet tij u njohëm dhe ai më shpalosi një ide që të fillojmë të hapim një shkollë. Pa menduar shumë e pranova ofertën e tij, ndërsa bashkë me mua ishte edhe arsimtari i matematikës dhe ish hendbollist i ‘Rinia’ Ajdin Ramadani dhe në vitin 1996/97 formuam KH ‘Rinia’. Filluam, siç ishim marr vesh, me vajza dhe djemtë. Meqenëse unë isha në arsim, i selektoja vajzat nga shkollat fillore, ndërsa pasi formuam ekipin, merrnim pjesë në garat shkollore në nivel shtetëror. Kështu në vitin 1998 me vajzat morra pjesë për herë të parë në gara, pra garonin për sh.f ‘7 Marsi’ në të kaluarën ‘Dame Gruev’. Në fakt, kjo ishte hera e parë vajzat shqiptare të merrnin pjesë në gara, që për mua ishte një moment shumë domethënës. Arritëm pozitën e pestë, nga 12 shkollat sa morrin pjesë që për mua ishte një sukses i madh, duke marr parasysh se vajzat për herë të parë dilnin jashtë Shkupit. Ndeshjen e parë e fituam ndërsa në të dytën pësuam disfatë. Por, më pas për shkak të mungesës së kushteve, sallës sportive, vendosa të ndërpres aktivitetin tim tek vajzat, ndërsa aktivitetet i vazhdoi KH ‘Rinia’.
KOHA: U largove nga KH ‘Rinia’ dhe vendose të hapësh KH ‘Çair’. Si erdhi deri te themelimi i këtij klubi të vetëm shqiptar për femra në Maqedoni?
ISLAMI: Jam e vetmja femër që ka regjistruar klub të hendbollit për vajza. Çairi si komunë u formua në vitin 2007. Më ofruan palestrën ‘Partizani’ që gjendet në Çair në muajin tetor të vitit 2008 regjistrova edhe KH ‘Çair’. Vitin e ardhshëm do të bëhen 10-vite që ekziston ky klub. Në fillim masiviteti ishte i madh, ku numri u arrit në mbi 100-vajza edhe atë në kategorinë pionier, kadetë dhe junior. Mirëpo, për fat të keq palestra ‘Partizani’ u djeg dhe nuk kishim ku t’i zhvillojmë stërvitjet. Në fakt, ne stërviteshim, por ndryshonim shkollat dhe bëhej më e vështirë. Ndryshe, gjatë gjithë kësaj kohe merrnim pjesë në gara, dhe jemi anëtare të Ligës së parë. Derisa ishim në Ligën e parë, u plasuam në pozitën e tretë, por për shkak të financave nuk dëshironim që të hymë në Superligë, edhe pse realisht mundeshim ta bëjmë atë. Pas kësaj dolëm nga Liga dhe tani me vendim të Federatës u tërhoq nga kalendari Liga e parë dhe tani garojmë në kategoritë e pioniereve, kadetëve dhe për juniore.
KOHA: A mund të na tregosh se a ka pasur hendbolliste të talentuara te KH “Çair”?
ISLAMI: Arritja më e madhe e imja ka qenë që nga KH ‘Çair’ të nxjerrë edhe reprezentuese. Arlinda Dinarica është anëtare e përfaqësueses së Maqedonisë për kadet dhe Leonora Rahmani për përfaqësuesen e Kosovës. Kuptohet, në arritjen e kësaj kanë kontribuar edhe bordi im me të cilin kam punuar. Sigurisht se ka pasur edhe hendbolliste tjera të talentuara si Melisa Ajdini, e cila ka qenë një hendbolliste jashtëzakonisht e talentuar, por për shkak që klubi nuk luajti në Superligë ajo u tërheq dhe merret me studime, pastaj motrat binjake Arlinda dhe Mirlinda Dinarica, Bajra Bakiq dhe Leonora Rahmani, të cilat janë pjesë e Superligës së Kosovës.
KOHA: Cili është momenti më i mirë në aspektin sportiv që të ka ndodhur deri më tani?
ISLAMI: Ka shumë momente, por momenti më i mirë që më ka ndodhur gjatë aktiviteteve të mia sportive ka qenë, një mijë vajzat që kanë kaluar nëpër duart e mia. Kisha pasur dëshirë që kur të tërhiqem te ketë kush të më zëvendësojë.
KOHA: Po momenti më i keq?
ISLAMI: Momenti më i keq ka qenë kur klubi dy apo tre herë ka qenë pranë shuarjes e gjithë kjo për shkak të mungesës së financave, sallave dhe terminëve për stërvitje. Por, fatmirësisht bashkë me lojtaret mbijetuam dhe përkrahjes së prindërve dhe Komunës mbijetuam dhe vazhduam me gara.
KOHA: Nga kush e keni mbështetjen më të madhe?
ISLAMI: Nëntë vite sa ekzistojmë sigurisht se më ka ndihmuar dikush, por ajo është simbolike. Komuna është përkrahësi që nuk shuhet dhe Bajram Imeri nga ‘Eftinia Impeks’ që na ndihmon shumë duke na dhuruar veshjet sportive si dhe familja ime. Unë e kam thënë edhe në të kaluarën, e them edhe tani, kushdo që do, le të urdhërojë e ta menaxhojë kubin. Jo që nuk kemi talente, ato janë shumë, por ata kanë nevojë për kushte dhe të paguhen siç paguhen klubet e hendbollit tjera në Maqedoni.
KOHA: Duke marr parasysh se mbi një mijë vajza i ke udhëhequr, a i mban kontaktet me to?
ISLAMI: Sigurisht se po, shpesh takohemi dhe bisedojmë për ndodhitë që i kemi përjetuar. Sidomos për festën e Bajramit, kur vijnë më vizitojnë. Me një fjalë nuk më harrojnë dhe kjo më bën krenare.
KOHA: Kush është në jetën private Semia Islami?
ISLAMI: Jam nënë dhe arsimtare e edukatës fizike si dhe kam një djalë. Djali Emiri nuk merret me sport dhe asnjëherë nuk ia kam imponuar faktin që ai të ndjek hapat e nënës së tij. Si i vogël ka qen aktiv në not, më pas ka ushtruar te KH ‘Rinia’, por nuk zgjati shumë dhe ai tash punon në një firmë.