Italia do të përballet ditën e nesërme në transfertë me Lihteshteinin, në një ndeshje ku skuadra e drejtuar nga Mançini shkon e qetë, pasi ka siguruar matematikisht kualifikimin për në Euro 2020.
Në prag të ditës së nesërme ka dalë në konferencë për shtyp Leonardo Bonuçi, si kapiten i ekipit në mungesë të Kielinit.
Mbrojtësi është shprehur se është i gatshëm për ndeshjen e nesërme: “Rruga jonë e rritjes duhet të vazhdojë edhe në këtë ndeshje. A do të luaj unë? Nuk e di fare, por gjithmonë unë jam në dispozicion të ekipit. Ju e keni parë këtë në vite me radhë, tek Juventusi, Milani dhe Kombëtarja. Gjithmonë përpiqem të jem gati për çdo ndeshje.”, theksoi mbrojtësi.
Bonuçi nuk nguroi të flasë edhe për një nga çështjet më të diskutuara, siç është ajo e mbështetjes së lojtarëve turq, për ushtarët e tyre kundër Kurdëve.
Pjesë e tyre është edhe Demiral, me të cilin Bonuçi luan te Juventusi, teksa për këtë është shprehur: “Lufta i dëmton të gjithë. Çdo kush është i lirë të mendojë si ai do, por për mua politika duhet të qëndrojë larg futbollit. Sporti është argëtim dhe pasion.”, përfundoi 32-vjeçari.