Pas çlirimit të Jugosllavisë, i deleguari jugosllav në Shqipëri, Velimir Stojniq, duke u mbështetur në grupin e agjentëve të Koçi Xoxës brenda udhëheqjes partiake e shtetërore shqiptare, u përpoq që në mënyrë sistematike ta zgjeroj rrjetin e spiunazhit jugosllav kudo në Shqipëri, të mbjell dhe ruaj joharmoninë dhe konfliktin në udhëheqjen partiake e shtetërore shqiptare, për ta gufatur rezistencën e udhëheqjes shqiptare në krye me Enver Hoxhën…
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Javën e kaluar botuam notën e 12 nëntorit 1949 të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, përmes së cilës njoftohej Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Shqipërisë, se Qeveria e RFPJ-së “ndihej e liruar nga obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Miqësi midis RFPJ-së dhe RP të Shqipërisë” të nënshkruar më 9 korrik 1946. Rrjedhimisht, MPJ e RP të Shqipërisë, me notën nr. 2091 të datës 22 nëntor të atij viti njoftonte Legatën jugosllave në Tiranë, për qëndrimin e Tiranës zyrtare, lidhur me ndërprerjen e “Marrëdhënieve për miqësi” midis dy regjimeve komuniste. Në të, siç do të shohim në vazhdim, udhëheqja komuniste shqiptare, akuzonte udhëheqjen komuniste jugosllave, jo për shkak politikës diskriminuese që ajo asaj kohe e zbatonte ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, por për shkak se siç thuhej “e njëjta është shndërruar në shtab agjenturesk dhe të spiunazhit fashist në shërbim të imperializmit anglo-amerikan”. “Populli shqiptar dhe Partia e tij – thuhej veç tjerash në notë – edhe përkundër përpjekjeve të panumërta nga ana e qeverisë jugosllave dhe agjentëve të saj, për asnjë çast nuk e kanë humbur besimin e paluhatshëm në BRSS-në e Madhe, dhe Partinë Bolshevike dhe në Stalinin e Madh, falë të cilëve populli shqiptar shpëtoi nga robëria fashiste….”. Përmbajtja e plotë e notës së udhëheqjes komuniste shqiptare, që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, fondi KQ i LKJ-së (507), ishte si më poshtë vijon:
* * *
- Që në kohën e LNÇ-së, udhëheqja jugosllave përpiqej ta siguroj ndikimin e vet në udhëheqjen e luftës së popullit shqiptar, me qëllim që më pas Shqipërinë më lehtë ta shndërronte në koloni jugosllave. Që në vitin 1943 Svetozar Vukmanoviq (Tempo), anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë erdhi në Shqipëri me mision nga ana e udhëheqjes jugosllave dhe u përpoq që t’i jep drejtim të gabueshëm udhëheqjes së Lëvizjes Nacionalçlirimtare shqiptare, me qëllim që ajo ta pranoj krijimin e shtabit ballkanik, i cili nën udhëheqjen e Josip Broz Titos, do t’i udhëhiqte të gjitha lëvizjet nacionalçlirimtare në Ballkan, ndërsa krejt kjo me qëllim që më vonë ta krijoj të ashtuquajturën “federatën ballkanike” me Titon në krye, e cila nuk do të ishte asgjë tjetër përveçse një federatë e thjeshtë borgjeze e reaksionare e drejtuar kundër BRSS-së dhe demokracive popullore. Vukmanoviq Tempo nuk pati mundësi ta zbatoj këtë mision me sukses, të cilën ia patë dhënë udhëheqja jugosllave, sepse hasi në rezistencë. Mirëpo ai arriti sukses me misionin tjetër, të cilin ia dha për detyrë udhëheqja jugosllave: krijimin e grupit të agjenturës brenda udhëheqjes së Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit të ri shqiptar. Duke e përvetësuar si agjent ish sekretarin organizativ të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe ish ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Koçi Xoxin. Nga atëherë filloi lufta e ashpër brenda udhëheqjes së Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar nga ana e udhëheqjes jugosllave. Qëllimi i kësaj lufte ka qenë likuidimi i çfarëdolloj rezistence nga ana e udhëheqjes shqiptare dhe tërë çështjen udhëheqëse në Shqipëri ta marrin jugosllavët dhe agjentët e tyre dhe më në fund kolonizimi i tërësishëm i Shqipërisë. Komunistët e vërtetë jugosllav, Milladin Popoviqi, i cili nga fillimi i Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Shqipëri qe internuar nga ana e italianëve në kampin e përqendrimit në Peqin (Shqipëri), më pas qe liruar nga ana e partizanëve shqiptarë. Pas këtij lirimi nga kampi i përqendrimit Milladin Popoviqi iu bashkangjit komunistëve shqiptarë dhe e ndihmoi Partinë Komuniste të Shqipërisë me tërë shpirtin e tij të një internacionalisti. Milladin Popoviq që nga fillimi hapur u deklarua kundër pikëpamjeve antimarksiste të Vukmanoviq Tempos dhe Titos. Për këtë arsye me urdhër të Titos, në prag të çlirimit të Shqipërisë qe kthyer prapa. Atë e zëvendësoi nxënësi besnik i Titos kolonel Velimir Stojniq. Milladin Popoviq u vra në mënyrë të fshehtë në vitin 1945 në Kosovë (Jugosllavi). Faktet dëshmojnë se Milladin Popoviqi është vra nga agjentët e UDB-së për arsye se ka qenë marksistë i vërtetë dhe kundërshtar i pikëpamjeve nacionaliste-borgjeze të Titos dhe grupit të tij. Kjo dëshmon se udhëheqja jugosllave gjatë luftës jo vetëm se nuk e ka ndihmuar udhëheqjen shqiptare, por përkundrazi ka përgatit kurth kundër saj për ta nënshtruar pa kusht dhe ka përdor masa terroriste që, duke u shfrytëzuar me metodat e Gestapos, për t’i eliminuar ata të cilët kanë qenë për Shqipëri të pavarur dhe kundër përzierjes në punët e saj të brendshme, siç ka qenë kumunisti i vërtetë i Jugosllavisë, Milladin Popoviqi.
- Pas çlirimit të Jugosllavisë, i deleguari jugosllav në Shqipëri, Velimir Stojniq, duke u mbështetur në grupin e agjentëve të Koçi Xoxës brenda udhëheqjes partiake e shtetërore shqiptare, u përpoq që në mënyrë sistematike ta zgjeroj rrjetin e spiunazhit jugosllav kudo në Shqipëri, të mbjell dhe ruaj joharmoninë dhe konfliktin në udhëheqjen partiake e shtetërore shqiptare, për ta gufatur rezistencën e udhëheqjes shqiptare në krye me Enver Hoxhën dhe në udhëheqjen partiake e shtetërore të Shqipërisë ta sjell agjentin e qeverisë beogradase Koçi Xoxen dhe tërë bandën e tij të agjentëve. Qeveria e RP të Shqipërisë gjithnjë ka pas sjellje korrekte, dhe në sjelljen e saj ndaj të gjithë të deleguarve të Qeverisë jugosllave në Shqipëri ka qenë e inspiruar me dashuri të sinqertë ndaj popujve jugosllav. Mirëpo, të gjithë ata delegat jugosllav (Vukmanoviq – Tempo, Veljo Stojniq, Dizdareviq, Josif Xherxha, Save Zllatiq, Safet Filipoviq, Millan Kuprashanin, Drago Koshmilj etj.), duke i zbatuar në përpikmëri urdhrat e Qeverisë jugosllave, janë përpjekur me tërë fuqinë e tyre që me çdo çmim t’i kryejnë detyrat që ua ka parashtruar Qeveria jugosllave: kolonizimin e Shqipërisë.
Metodat të cilat i kanë përdorur të gjithë të deleguarit jugosllav në Shqipëri kanë qenë metoda të mashtrimeve, spekulimeve ndaj besimit dhe sinqeritetit të udhëheqjes shqiptare, gënjeshtrave, intrigave, shpifjeve dhe kushtëzimeve për ta mbisunduar udhëheqjen shqiptare e cila u bënte ballë ndërhyrjeve brutale dhe joligjore të qeverisë jugosllave në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe njëkohësisht me të gjitha mjetet t’i mbështesnin agjentët e Qeverisë jugosllave në Shqipëri, Koçi Xoxen etj..
Të gjitha marrëveshjet ekonomike e kulturore të arritura midis dy vendeve tona, si vazhdimësi të Marrëveshjes për miqësi dhe ndihmës së ndërsjellët në mënyrë flagrante kanë qenë shkelur nga ana e Qeverisë jugosllave dhe të shfrytëzuar në mënyrë të shkathtë që të mund të kamuflohen planet e vërteta kolonialiste të Qeverisë jugosllave ndaj vendit tonë për ta shndërruar Shqipërinë në koloni jugosllave. Qeveria jugosllave është përpjekur ta orientoj – dhe vërtetë ajo arriti t’i orientoj – këto marrëveshje dhe protokolle në rrugën e eksploatimit kapitalist të popullit shqiptar nga ana e Qeverisë jugosllave. Ato kanë qenë përdorur si mjete të fuqishme për eksploatimin e popullit shqiptar me sjelljet më mizore në favor të qeverisë serbomadhe – jugosllave.
- Është e pamundur që gjatë tërë praktikës së Qeverisë jugosllave si dhe në sjelljet e saja me RP të Shqipërisë e të mos e vëresh përmbajtjen armiqësore kundër interesit të popullit shqiptar. Periudha pas çlirimit të Shqipërisë karakterizohet me luftën e ashpër midis Qeverisë jugosllave dhe të deleguarve të saj në Shqipëri nga njëra anë, dhe Qeverisë shqiptare, nga ana tjetër. Kjo luftë dita ditës sa vinte e ashpërsohej. Përgjegjësia e tërësishme për zhvillim të pavolitshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë përgjithësisht e bartë Qeveria jugosllave. Duke u mbështetur fuqishëm në agjentët e vet brenda qeverisë, Koçi Xoxen dhe Pandi Kriston, Qeveria jugosllave luftonte në mënyrë konsekuente për eliminimin e pavarësisë dhe sovranitetin e popullit shqiptar, e ashtuquajtura ndihma jugosllave “për ndërtimin e socializmit” nga gjysma e vitit 1948 ka qenë vetëm një blof i fuqishëm me qëllim të mashtrimit të popullit shqiptar, për ta eksploatuar në mënyrë më mizore dhe ta shndërroj në skllav të qeverisë serbo-madhe – jugosllave. Viti 1947 karakterizohet me ndërhyrjen brutale e të hapur të qeverisë jugosllave në punët e qeverisë shqiptare.
Qeveria jugosllave konventën ekonomike të arritur në vitin 1946 midis dy vendeve, e ka shfrytëzuar si mjet të fuqishëm për kolonizimin e Shqipërisë. Gjatë vitit 1947 numër i madh i “teknikëve” jugosllav u dërguan në Shqipëri, mirëpo, ato “teknikë” nuk qenë dërguar në Shqipëri si ndihmë të popullit shqiptar për ta ndërtuar socializmin në vendin e vet, por përkundrazi Qeveria jugosllave ata i dërgoi për ta sabotuar ndërtimin e socializmit në Shqipëri. Populli shqiptar ende po i shijon dëmet që qenë shkaktuar nga “teknikët” jugosllav me veprat e tyre të sabotimit në ekonominë shqiptare, sikurse në fushën e vajgurit në Patos, në hekurudhën shqiptare Durrës-Elbasan dhe Durrës-Tiranë, në fabrikën e tekstilit në Tiranë etj. Në fillim të vitit 1947 Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë duke e parë se rezistenca ndaj ndërhyrjes jugosllave në Shqipëri ishte në rritje të përhershme, Komiteti Qendror të PK të Shqipërisë i dërgoi letër kërcënuese në të cilën e akuzonte udhëheqjen për veprimtari antijugosllave. Udhëheqja e PK të Shqipërisë, përkundër përpjekjeve të agjentit të Qeverisë jugosllave, Koçi Xoxit, letrën e udhëheqjes jugosllave e hodhi poshtë ndërsa e përforcoi edhe më shumë luftën e vet kundër ndërhyrjes jugosllave në punët e brendshme shqiptare.
Në përfundim të vitit 1947, udhëheqja jugosllave e revoltuar nga rezistenca e udhëheqjes shqiptare në krye me shokun Enver Hoxhën, Partisë Komuniste të Shqipërisë i dërgoi letrën e dytë përmes së cilës në mënyrë të hapur e fajëson udhëheqjen qendrore shqiptare. Ajo letër, e cila mbështetej tërësisht në gënjeshtrat, intrigat dhe shpifjet e ulëta, u mbështet haptazi nga grupi i agjentëve të Koçi Xoxes, në shërbim të Qeverisë borgjeze jugosllave kundër udhëheqjes besnike të shtetit shqiptar. Qëndrimi konsekuent ndaj BRSS-së nga ana e udhëheqjes shqiptare në krye me shokun Enver Hoxha, për mbrojtjen e pavarësisë së popullit shqiptar dhe kundër ndërhyrjes jugosllave në punët e brendshme të Shqipërisë, aq shumë e revoltoi udhëheqjen jugosllave, saqë ata përmes asaj letre të kërkojnë nga udhëheqja shqiptare, në formë të ultimatumit, ta ndërpresin menjëherë politikën në favor të BRSS-së dhe pa asnjë kusht t’i nënshtrohet Qeverisë jugosllave.
Para një situatë aq të rëndë, nën presionin e hatashëm të qeverisë fashiste beogradase dhe spiunëve të saj brenda Partisë Komuniste të Shqipërisë, njëri ndër udhëheqësit kryesor të partisë dhe shtetit shqiptar, shoku Nako Spiro, kryetari i Komisionit të Planifikimit dhe ministër i Industrisë, bashkëpunëtori më i ngushtë i shokut Enver Hoxha në luftën për mbrojtjen e pavarësisë së RP të Shqipërisë kundër kolonizimit jugosllav, më 20 nëntor të vitit 1947 kreu vetëvrasje. Shoku Nako Spiro ka qenë sakrifica e intrigave të ulëta të qeverisë fashiste beogradase kundër tij dhe shokëve të tij. Pas kësaj ngjarjeje tragjike për të cilën Qeveria jugosllave bart përgjegjësi të plotë, përzierja në punët e brendshme të Shqipërisë u bë edhe më e madhe dhe më e ashpër nga ana e jugosllavëve. Ja në këtë mënyrë, përmes intrigave,përçarjeve, mashtrimeve dhe terrorit Qeveria jugosllave e ka ndihmuar Shqipërinë.
Plenumi i Tetë KQ të PKSh-së i planifikuar në Beograd në zyrat e Rankoviqit dhe i organizuar në mënyrë të shkathtë dhe me metoda të agjenturës nga ana e ministrave jugosllav në Shqipëri Josip Xherxha dhe Savo Zllatiq dhe agjentëve të tyre në krye me Koçi Xixin, qe dëshmia e politikës tradhtare, imperialiste e fashiste të qeverisë beogradase ndaj Shqipërisë. Pas vetëvrasjes së shokut Nako Spiro dhe pas plenumit të Tetë të KQ PKSh-së (përfundimi i vitit 1947 dhe fillimi i vitit 1948), kreun e punëve shtetërore e partiake në Shqipëri për një kohë të caktuar e morën agjentët e qeverisë jugosllave. Në Parti udhëhiqte ministri jugosllav Savo Zllatiq përmes agjentit të Titos, Koçi Xoxit, në sigurimin shtetëror udhëhiqte funksionari i UDB-së koloneli jugosllav Safet Filipoviq i cili përmes Koçi Xoxes sigurimin shtetëror e shndërroi në instrumentin trockistë të qeverisë jugosllave në Shqipëri ku populli shqiptar përjetoi një vuajtje dhe përndjekje të paparë deri atëherë; qeveria jugosllave në armatë dominonte përmes agjentit të vet në Shqipëri, të cilin e dërgoi vet Tito, gjeneral lajtnontin jugosllav Millan Kupreshanin; funksionet e vërteta shqiptare për një kohë të caktuar kaluan në duart e komisionit “koordinues” i cili në të vërtetë përbënte qeverinë jugosllave në territorin shqiptar në krye me gjermanin jugosllav Krajgerin.
Këto janë fakte konkrete të cilat hedhin dritë se në cilën mënyrë qeveria jugosllave e ka “ndihmuar” RP të Shqipërisë: këto fakte dëshmojnë se qeveria jugosllave gjatë tërë kohës së zhvillimit të marrëdhënieve të saja me RP të Shqipërisë ka pas vetëm një brengë: kolonizimin e plotë të Shqipërisë dhe Shqipërinë ta shndërroj në “republikë të shtatë” të Jugosllavisë. Mirëpo qeveria jugosllave u mashtrua rëndë gjatë përllogaritjes së fuqisë së Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Populli shqiptar dhe Partia e tij edhe përkundër përpjekjeve të panumërta nga ana e qeverisë jugosllave dhe agjentëve të saj, për asnjë çast nuk e kanë humbur besimin e paluhatshëm në BRSS-në e Madhe, dhe Partinë Bolshevike dhe në Stalinin e Madh, falë të cilëve populli shqiptar shpëtoi nga robëria fashiste.
- Duke i analizuar në mënyrë të thuktë marrëdhëniet midis qeverisë jugosllave dhe qeverisë shqiptare, në dritën e letrave historike të KP SKP (b) të BRSS-së, Komitetit Qendror të PKJ-së dhe Rezolutën e Informbyrosë për gjendjen në PKJ, udhëheqja shtetërore shqiptare i konstatoi qëllimet e vërteta kolonizuese të qeverisë jugosllave ndaj RP të Shqipërisë dhe më datë 1 korrik të vitit 1948 u tërhoq nga të gjitha marrëveshjet, konventat dhe protokollet ekonomike, të cilat deri në atë moment qenë arritur midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ajo tërheqje nga ana e Qeverisë shqiptare ka qenë e domosdoshme dhe e interesit jetësor për interesat e popullit shqiptar, sepse mbajtja në fuqi të atyre marrëveshjeve, konventave dhe protokolleve ekonomike midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do ta shndërronte Shqipërinë në një koloni të drejtpërdrejt jugosllave, do ta shndërronte Shqipërinë në pikën fillestare të imperializmit kundër Bashkimit Sovjetik dhe demokracisë popullore sikurse që është krijuar Jugosllavia, populli shqiptar është çliruar për herën e dytë. Sikurse qe çliruar nga pushtimi italian dhe gjerman duke iu falënderuar në radhë të parë luftës së popujve sovjetik dhe armatës së saj; edhe kësaj here e kanë çliruar nga kthetrat robëruese të qeverisë trockiste serbomadhe-jugosllave në krye me Josip Broz Titon, Bashkimi Sovjetik, Partia Bolshevike të cilët ishin të parët ata që e demaskuan fytyrën trockiste dhe borgjeze-nacionaliste të Qeverisë jugosllave.
- Pas tërheqjes nga marrëveshjet, konventave dhe protokolleve ekonomike me Jugosllavinë, në vitin 1948, Qeveria jugosllave e filloi veprimtarinë e fuqishme armiqësore kundër RP të Shqipërisë. Nuk ekziston ndonjë emision i Radio Beogradit i cili nuk të përfshinte propagande tërësisht të hapur dhe tërësisht fashiste të Qeverisë jugosllave kundër RP të Shqipërisë. Shtypi jugosllav bënë gara me shtypin monarkofashist grekë dhe shtypin imperialist perëndimor dhe duke sulmuar me shpifje, gënjeshtra dhe provokime ndaj RP të Shqipërisë. Përveç propagandës zyrtare e cila kryhet përmes shtypit dhe radios, Qeveria jugosllave kryen njëkohësisht edhe propagandë intensive e sistematike ilegale kundër RP të Shqipërisë. Që nga ditët e para të ndërprerjes të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, propaganda ilegale jugosllave në Shqipëri është përpjekur të krijoj huti, anarki, panik dhe mosbesim. Ajo ka për qëllim të organizoj arratisje nga Shqipëria në Jugosllavi, ta diskreditoj Qeverinë shqiptare, t’i inkurajoj elementet reaksionare e të gjitha bojave kundër Qeverisë shqiptare. Mira broshura dhe afishe të shtypura në Jugosllavi në gjuhën shqipe dhe italishte, me përmbajtje të plotë reaksionare e fashiste të drejtuar kundër RP të Shqipërisë, kundër BRSS-së dhe taborit socialist, janë futur dhe po futen ilegalisht në territorin shqiptar nga ana e diversantëve dhe banditëve të armatosur, të cilët i organizon, ndihmon e me të cilët udhëheq organi i Rankoviqit, UDB-ja.
Nga ana tjetër funksionarët e Legatës jugosllave në Tiranë kanë kryer dhe ende po kryejnë propagandë armiqësore kundër interesave të popullit shqiptar. Qeveria shqiptare posedon fakte konkrete të cilat dëshmojnë se funksionarët e Legatës jugosllave në Tiranë, në kundërshtim të hapur me të gjitha dispozitat dhe traditat diplomatike ndërkombëtare, fabrikohen, shumëzohen dhe shpërndahen ilegalisht afishe në Shqipëri nga ana e agjentëve të Qeverisë jugosllave, qeveria e Josip Broz Titos fton në luftë të armatosur kundër qeverisë legale të popullit shqiptar ndërsa për vendosjen e regjimit reaksionar nga ana e elementëve të cilët kanë luftuar kundër popullit shqiptar dhe popujve jugosllav gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, siç janë Gani bej Kryeziu (në atë kohë, Gani bej Kryeziu vuante dënimin në burgun e Sremit, ndërsa në vitin 1952 disa ditë para se ta plotësonte dënimin, përkatësisht të dilte nga burgu, vritet nga organet e atëhershme të UDB-së jugosllave – Q.L.), Cen Elezi etj..
- Qeveria jugosllave vepron intensivisht në organizimin dhe rigrupimin e disa kriminelëve shqiptarë të cilët ende bredhin nëpër male ose të cilët kanë ikur në botën e jashtme. Në atë drejtim Qeveria jugosllave bashkëpunon ngushtë me të gjithë armiqtë e jashtëm dhe agjentët fashistë dhe së bashku me ta përpiqet ta rrënoj me forcë Qeverinë popullore në Shqipëri, dhe për atë qëllim e shfrytëzon elementin reaksionar shqiptaromadh. Tradhtarët e njohur të popullit shqiptar, duart e të cilëve janë të përlyer me gjakun e popullit shqiptar dhe jugosllav, siç janë reaksionarët suprem bajraktari i Dibrës, Cen Elezi, oficeri fashist Dan Kaloshi ((Cen Elezi ishte djali i madh i atdhetarit të shquar shqiptar, Elez Isufi. Si shumë atdhetarë tjerë të krahinës së Dibrës e të Lumës, edhe ai nuk e e pranoi vendosjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, në mars të vitit 1946 doli në mal së bashku me disa veprimtarë tjerë të nacionalizmës shqiptare ku qëndroi deri në korrik të vitit 1948. Prishja e Jugosllavisë me Bllokun e Lindjes më 1948 dhe propaganda e zhvilluar në Shqipëri se gjoja Jugosllavia e kishte braktisur komunizmin e ishte lidhur me amerikanët dhe anglezët, mashtruan shumë njerëz. Cen Elezi dhe disa bashkëpunëtor të tij më të ngushtë kaluan në Jugosllavi. Atje, menjëherë në mënyrë djallëzore u arrestuan si anti-komunistë e anti-jugosllavë dhe i mbajtën të lidhur gjashtë muaj. Në hetuesi, oficerët e UDB-së, përdorën tortura çnjerëzore fizike si dhe urie. Si rrjedhojë e dhunës dhe torturës së paparë të UDB-së jugosllave, vdiq me 9 maj 1949. Së bashku me të UDB-ja jugosllave vrau edhe Dan Kaloshin dhe Ferit Sinën- Q.L.), ose funksionarë e agjentë tjerë fashist, si Tahir Hoxha, Mark Tinxhi, Nik Sokoli, Mark Doda, Ndue Bajraktari, Mark Bajraktari, Ndrec Lufi dhe qindra kriminel tjerë të ngjashëm të ikur nga Shqipëria të cilëve tash u jep strehim, i financon, organizon dhe i armatos dhe i udhëheq ministri jugosllav për Punë të Brendshme Aleksandër Rankoviq me qëllim të kryejnë akte terroriste e diversante në territorin shqiptar duke ardhur nga territori jugosllav. Me qëllim të udhëheqjes operative të bandave të armatosura kundër Shqipërisë, Aleksandër Rankoviq prej para një viti ka organizuar më shumë pika të UDB-së në afërsi të kufirit shqiptar. Ato pika përbëjnë qendra të vërtet për stërvitje dhe për shtabet operative të UDB-së kundër Shqipërisë.
Sipas të dhënave që i posedon Qeveria shqiptare ato qendra të UDB-së të cilat ekskluzivisht merren me organizimin e rrjetit të spiunazhit dhe luftës së armatosur kundër RP të Shqipërisë, janë të renditur si vijon: qendra në Ulqin (nëntogeri Ratko, nëntogeri Nikolla dhe civili Mile Cvetkoviq); qendra Tuz (majori Vllado Katulin dhe kapiteni Mile Lekiq): qendra Guci (Radenoviq); qendra Andrijeviq (majori Gjuro Maksimoviq dhe kapiteni Dobraçin Zogoviq); qendra Gjakovë (nëntogeri Gjoko Mihajlloviq); qendra në Prizren (Gojko Pejoviq, i cili gjatë kohës së mbretit Aleksandër ka qenë kapiten i shërbimit kundërzbulues, dhe kapiten Vllado Popoviq); qendra në Dibër (Lutfi Rusi dhe Mustafa Lleshi) (djali i Aqif Lleshit, i cili asaj kohe ishte oficer sigurimi dhe përgjegjës për zonën kufitare Ohër-Tetovë – Q.L.); qendra në Strugë dhe në Resnjë. (vijon nesër)