Tetovë, 7 prill – Spitali Klinik në Tetovë ka mjaft mjekë dhe personel tjetër mjekësor për t’i tejkaluar të gjitha sfidat e paraqitura nga ballafaqimi me koronavirus, porositin nga institucioni më i madh shëndetësor Tetovë me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit. Ata kërkojnë nga qytetarët të ndihmojnë duke qëndruar në shtëpi dhe duke parandaluar kështu përhapjen e sëmundjes.
“Ne ju dëshirojmë shëndet të mirë, ta mbroni veten nga infeksioni dhe të na ndihmoni ta fitojmë këtë luftë së bashku, sepse kemi mjaft kapacitete mjekësore, personel shëndetësor të trajnuar dhe burime për të qenë fituesit në fund të kësaj beteje. Ju lutemi qëndroni në shtëpi në shëndet, lumturi dhe prosperitet për t’i mirëpritur festat e ardhshme fetare, thuhet në kumtesën e institucionit shëndetësor publik Spitali Klinik Tetovë.
Dita Botërore e Shëndetit, siç theksohet, shënohet në të gjithë botën me trishtim dhe pikëllim të madh, për shkak të humbjes së jetëve të shumë njerëzve dhe persona të hospitalizuar me Kovid-19.
“Vendi ynë tashmë gjashtë javë përballet me këtë sfidë dhe të gjitha kapacitetet shëndetësore dhe aspekti mjekësor janë të përfshirë në parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje në vend. Ne gjithashtu shprehim mirënjohjen për institucionet shëndetësore që kanë dhënë një kontribut të madh në këtë luftë, por pa ju, bashkëqytetarët tanë, ne nuk do të jemi në gjendje ta zgjidhim këtë problem, derisa nuk e kemi mbështetjen tuaj. Kjo është arsyeja pse ne ju kërkojmë të bëhemi heronj dhe të qëndroni në shtëpi”, thonë nga Spitali Klinik i Tetovës. (koha.mk)