Strugë, 20 nentor – Kjo ka vështirësuar edhe situatën në spitalin e Strugës, ku kapacitetet janë pothuajse të mbushura. Momentalisht në spital ka dy qendra Covid, por shumica e shtretërve janë të zënë.
Në spital ka mbi 30 të hospitalizuar, 20 prej tyre janë në varësi të oksigjenit. Nga spitali thonë se situata për momentin është nën kontroll, por nëse vazhdon trendi i rritjes së numrit, do të jetë e vështirë të menaxhohet situata.
“Situata në olrgjithësi në spitalin e Strugës në lidhje me pacientët e sëmurë nga covid çdo ditë numrat vijn e rriten, kemi dyfishim të numrave të të sëmurëve. Kapacitet i kemi gati të mbushura, momentalisht gjendja është e vështirë, një numër i pacientëve janë në gjendje të rëndë, janë në varësi të oksigjenit, por momentalisht situata është nën kontroll. Në ndërkohë kanë filluar përgatitjet për ndërtimin e spitalit mobil që do të lehtësojë shumë pnën, do ketë kapacitet prej 35 shtretër”, u shpreh drejtor i spitalit të Strugës, Muhamed Asani.
Momentalisht spitali i Strugës nuk has vështirësi në personel, ka stafin e nevojshëm për trajtimin e pacientëve me Covid 19. Por nga spitali thonë se kanë vështirësi të mëdha me furnizimet e oksigjenit.
“Vështirësinë më të madhe e kemi me furnizimin e oksigjenit. Kompania që na furnizon me oksigjen, sasinë e oksigjenit që na sjellin, gjithmonë jemi me atë frikën a do na mjaftojë dhe ne angazhohemi që ne mos vijë puna që të vijmë në momente të caktuara ku do të na mungojë oksigjeni. Shërbimi teknik është 24 orë në funksion të kësaj pune”, theksoi Asani.
Të infektuar me Covid 19 në Strugë ka edhe disa punonjës shëndetësor që marrin trajtim mjekësor. Autoritet apelojnë qytetarët që të mbajnë maskat, të ruajnë distancën dhe personat e infektuar të respektojnë masën e izolimit me qëllim që të shmanget përhapja e virusit.